Media, e kërcënuar nga politika

Media, e kërcënuar nga politika

Në Ditën Botërore të Lirisë së Medias, presidenti Ilir Meta ka kërkuar që ti jepet fund presioneve politike nga ana e politikës. Ndërsa ambasada e SHBA-së në Tiranë ngriti shqetësimin se media në Shqipëri cënohet dhe kërkon të përdoret nga klasa politike.

Shqipëria renditet në vendin e 82 për sa i përket lirisë së medias në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij,  duke u përkeqësuar me 7 vende krahasuar me një vit më parë.

Në ditën Botërore të Lirisë së Medias Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ngriti shqetësimin se shtypi në vendin tonë është më pak i lirë dhe i pavarur, ndaj ka kërkuar të marrin fund  aktivitetet e institucioneve me regji, pa praninë e gazetarëve.

Meta: Shtypi ynë sot, edhe sipas këtyre organizatave, është më pak i lirë dhe i pavarur, mediat goditen nga retorika agresive dhe kërcënuese, rastet e dhunës ndaj gazetarëve janë shpeshtuar. Praktikat e mohimit të së drejtës së gazetarëve për të ndjekur drejtpërdrejt veprimtarinë e autoriteteve publike duhet të ndalen. Ju do triumfoni sepse shqiptarët s’mund të kthehen 30 vite pas për të ndjekur Zërin e Amerikës apo Deutsche Ëelle-n, që të kuptojnë se çfarë ndodh në atdheun e tyre.

Ndërsa Ambasada e SHBA në Tiranë në një takim me studentët e gazetarisë në Universitetitn e Tiranës i kërkoi gazetarëve që të sfidojnë presionet politike duke thënë të vërtetën.

Brian Beckman: Ju sfidoj të kërkoni dhe të tregoni të vërtetën. Ju mund ti jepni formë të ardhmes së Shqipërisë. Nëse zgjidhni të flisni të vërtetën, ne do të na keni në krah.

Ndërsa gazetarët shprehen të shqetësuar për presionet politike në vend.

Mark Marku: Disa parametra janë përkeqësuar, sulmet ndaj gazetarëve, diskursi i ashpër fyes i kryeministrit tregon për një marrëdhënie armiqësore ndaj medias.

Lutfi Dervishi: Është një sfidë për të qenë një media e lirë sepse kushtet nuk janë ideale.

Sa i përket raportit mbi situatën në botë, që prej janarit të vitit 2019, 10 gazetarë janë vrarë në krye të detyrës.

Në raportin e Reporterëve pa Kufij,  thuhet se 3 gazetarë janë vrarë në Afganistan, 3 në Meksikë, dhe të tjerë në Gana, Honduras, Libi dhe Mbretërinë e Bashkuar.

EMISIONET