Meço për ndalimin e publikimit të përgjimeve: Qytetarët do gjejnë forma të tjera informimi

Meço për ndalimin e publikimit të përgjimeve:

Pas ndalimit të publikimit të përgjimeve në media nga ana e Prokurorisë ka reaguar edhe gazetarja Sonila Meço.

Në një postim në rrjetet sociale, Meço shkruan se urdhërat e ndalimit të publikimit që jepen në një vend, në përputhje a jo me ligjin, mund të mos vlejnë në një vend tjetër dhe kësisoj qytetarët di të gjejnë mënyra të tjera.  

Reagimi i plotë i Meços: 

Çfarë ka më shumë rëndësi?

Informacioni në erën digjitale udhëton pa kufij, në media sociale, media kombëtare e ndërkombëtare pa kufizim, pavarësisht burimit.

Ndërkohë, urdhërat e ndalimit të publikimit që jepen në një vend, në përputhje a jo me ligjin, mund të mos vlejnë në një vend tjetër. Kësisoj publiku do informohet në një mënyrë a tjetër dhe do gjykojë rëndësinë e informacionit në interes të tij.

Iu deshën më pak se 24 orë dy prokurorëve të lëshojnë urdhra ndalimi publikimi informacioni për gazetarë e media (kur ka boll precedentë botërorë të diskutuar me dekada), por u desh një fraksion sekonde klikim, që shqiptarët të mësonin përmbajtjen e informacionit dhe rëndësinë e tij në interes të tyre.

Le të bëhet edhe këtu debati se cili prevalon mes i interesit të prokurorisë e atij të publikut, le të marrë orë e dekada, por çfarë u ekzekutua në një fraksion sekonde është panorama e qartë e shtetit, pushtetit dhe lidhjeve të tij me krimin. Çdo shqiptar e ka në dorë tani ta konsiderojë nëse vlen partia më shumë se jeta e mirëqënia e vet.

Në 30 vjet ka qënë e njëjta histori? Dakord, me gjasë po sigurohet edhe një 30 vjeçar tjetër. Mos t’ja atribuojmë më as politikës, as partive e as individëve në krye llojin e 30 vjeçarit të ardhshëm që na pret, në rast se nuk reagojmë. Autorin do ta shihni çdo mëngjes para pasqyrës. 

Me atë do duhet ta hamë mllefin e marazin.

EMISIONET