Më keq se një stallë, mbyllet qendra e emigrantëve në Bolonja

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, ka urdhëruar mbylljen e mega strukturës së mikpritjes së emigrantëve në qytetin e Bolonjës.

Ky është kampi i katërt i madh i emigrantëve që mbyllet në Itali. Motivet janë mbipopullimi e kushtet higjenike mjaft të këqija.

Ministri Salvini ka publikuar imazhe nga ambientet e brendshme të kësaj strukture ku shfaqen dukshëm papastërtia e mungesa e higjenës.

"Si është e mundur, pyet ministri Salvini, që predikuesit e mirësisë të impenjuar me pagesë në strehimin e emigrantëve, nuk e kishin vënë re se struktura ishte më shumë një stallë se sa një vend ku mund të strehoheshin gra e fëmijë."

"Pikërisht, shton Salvini, kushtet higjenike, mosgarantimi i mundësive të integrimit, problemet strukturore e mospërputhja mes fondeve publike të garanuara nga shteti e shërbimeve të ofruara, janë motivet e mbylljes së këtij kampi "

157 emigrantët që ishin strehuar në të janë shpërndarë në vende më dinjitoze dhe të përshtatshme.

Zëvendës/kryeministri italian informon gjithashtu se së shpejti do të nisë puna për ristrukturimin e këtij kampi për ta shndërruar në një strukturë ekselente.

"Brenda një kohe të shkurtër, tha ai, do të hapin tendera të rinj publikë, ku kooperativat e interesuara për mikpritjen e emigrantëve mund të aplikojnë me kosto më të ulët."

EMISIONET