Këshilli për Emërimet në Drejtësi e mbaroi mandatin kushtetues 1 vjeçar pa kryer asnjë punë, dhe Kuvendi i Shqiëprisë ka lajmëruar hapjen e procedurës për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këtij institucioni.

Më 7 dhjetor, ora 10:00, Kuvendi, në selinë e tij, do të hedhë shortin për të zgjedhur 9 anëtarët e rinj të Këshillit për Emërimet në Drejtësi që do e mbajnë këtë detyrë deri në 1 janarin e vitit 2019.

Sipas Kushtetutës dhe ligjit, ky këshill përbëhet nga dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative si dhe anëtarët zëvendësues.

Sipas ligjit këtë procedurë duhet ta udhëhiqte Presidenti i Republikës, por duket se ky i fundit ka hequr dorë duke parë se koha kur ai duhet ta bënte këtë është data 1 deri në 5 dhjetor, me arsyetimin se ka qenë i pamundur për të zbatuar dispozitat kalimtare të Ksuhtetutës edhe 1 vit pas hyrjes së saj në fuqi. 

Shorti do të drejtohet nga kryetari i kuvendit me pjesëmarrjen e avokatit të popullit, përfaqësuesve të gjykatave dhe prokurorisë, përfaqësues të grupeve parlamentare, diplomatëve dhe medias.

Sipas ligjit, kandidaturat duhet të verifikohen brenda datës 15 nëntor nga Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial por në kushtet kur këto institucione nuk janë krijuar ende, ashtu si vitin e shkuar, kandiadturat janë verifikuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Këshilli për Emërimet në Drejtësi është një organ i rëndësishëm në zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

/Ora News.tv/