Me 12 mijë euro në Angli dhe SHBA, arrestohen garantuesit në Shkodër

Me 12 mijë euro në Angli dhe SHBA, arrestohen garantuesit në

Nëntë persona janë arrestuar ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim pasi akuzohen se vepronin si një grup i strukturuar kriminal që merrej me trafik personash drejt Anglisë dhe SHBA kundrejt një shumë nga 8 mijë në 12 mijë euro

Drejtori i Policisë së Shkodrës, Vehbi Bushati doli sot paradite në një konferencë për shtyp për të dhënë detajet e këtij operacioni policor të koduar "Garantuesit".

Vehbi Bushati: "Arrestimi i tyre është bërë në kuadër të procedimit penal të vitit 2018, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, rezulton se ky grup i mirë-organizuar kryente veprimtari kriminale në drejtim të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe ShBA-së.  Këto veprime bëheshin kundrejt pagesës së shumave të ndryshme që varionin nga 8.000 euro deri në 12.000 euro"

Rolin e organizatorit të grupit e kishte Gazmend Garupi, Sotiraq Antoni ishte në rolin e bashkëpunëtorit kryesor, pasi siguronte gjithë dokumentet e falsifikuar në vendet e BE-së dhe në Shqipëri. Të tjerët ishin në rolin e ndihmësit, rekrutuesit, apo transportuesit

Si bëhej? - Pasi siguronin personat që pranonin të largoheshin drejt SHBA-se dhe Anglisë kundrejt shumës në fjalë, siguronin pajisjen e tyre me dokumente të falsifikuara  në vendet e origjinës shtete të BE-së apo martesa fiktive me shtetas (e) bullgare. Personave të interesuar u garantohej dhe shoqërimi deri në  destinacionin final kundrejt pagesës. 

"Ndihma e ofruar konsistonte ne falsifikimin e dokumenteve në vendet e origjinës shtete të BE-së, ku këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, mundësonin gjetjen  e personave dhe më pas, pajisjen  e tyre me dokumente te falsifikuara (karta identiteti italiane dhe greke, viza, leje drejtimi, karta studenti etj.) dhe nga përdorimi i tyre mundësohej kalimi për në Angli dhe SHBA.

Po kështu këta shtetas u ofronin personave të interesuar, kundrejt pagesës, shoqërimin e tyre deri në  destinacionin final, si dhe realizonin martesa fiktive me shtetase dhe shtetas bullgarë nëpër zyra të ndryshme të Gjendjes civile të Shqipërisë" 

Kush ishte itenerari? - Rruga që ndiqnin personat ishte nga Shqipëria, (Sicili)-Itali, - Maltë - Angli, si dhe nëpërmjet një rruge tjetër Shqipëri - Kosovë - Kroaci - Itali - Maltë – Angli - Sh.B.A.

Te arrestuarit-  Autorët e arrestuar dhe rolet që kryenin në grup janë:

• Gazmend  Garupi, 44 vjeç, banues në fshatin Kosmaç, Shkodër,. Ky shtetas ishte në rolin kryesor, atë të organizatorit.

 Sotiraq Antoni, 52 vjeç, banues në Korçë, ne rolin e bashkëpunëtorit kryesor, pasi siguronte gjithë dokumentet e falsifikuar në vendet e BE-së dhe në Shqipëri.

 Haxhi Ramadani, 54 vjeç, banues në Kosmaç, Shkodër, në  rolin e bashkëpunëtorit.

• Bledjan Ramadani, 29 vjeç, banues në Kosmaç Shkodër, në rolin e ndihmësit.

• Eduart Shima, 37 vjeç, banues në Shkjezë, Shkodër në rolin e rekrutuesit.

• Pllumb Pali, 47 vjeç, banues në Gruemirë, Malësi e Madhe. Siguronte dokumente të falsifikuar (falsifikator).

 Shpëtim Kiri, 59 vjeç, banues në Shkodër dhe Korçë, në rolin e  transportuesit dhe ndihmësit.

• Nikolla Mano, 59 vjeç, banues në Korçë, banesa e tij përdorej si bazë dhe kishte një laborator për falsifikimin e dokumenteve.

 Tonin Shtjefni 27 vjec banues ne lezhe, perfitues dhe perdorues I  dokumentave te fallsifikuar.

Ndërsa janë shpallur në kërkim: K.P.,46 vjeç, banues në Lezhë, në rolin e ndihmësit pasi ndërmjetësonte martesat fiktive me shtetase bullgare.

Y.Th. 36 vjeç, banues në Kosmaç, Shkodër, i shpallur në kërkim për “Ndihmë për Kalim të Paligjshëm të kufirit”, dhe “Prodhim e shitje narkotikësh. Ky person kishte rolin e ndihmësit.

Sekuestrohet dhe laboratori
U sekuestrua gjithashtu një laborator që shërbente për falsifikimin e dokumenteve si dhe prova të shumta materiale të kësaj skeme trafiku.

Në laborator u gjetën 3 njësi kompjuteri, 2 laptopë,  5 skanera, 5 printera, 3 printer-skaner,  5 vula të ndryshme, 14 usb, 17 tampona vulash, 1 pasaportë biometrike, 1 kartë identiteti, 10 platforma me strukturë plastike, 2 karta identiteti të huaja, fotografi pasaportash, materiale kancelarie të ndryshme, lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa 2 kg, 9 copë telefona celulare, 4 automjete të markave të ndryshme, dhe 1 armë gjahu.

Hetimet

Shtetasit e arrestuar dyshohen se kane konsumuar element te veprave penale të disa neneve të Kodit Penal si : “Ndihmë për Kalim të Paligjshëm të kufirit”;  “Prodhim i mjeteve për falsifikim të dokumenteve”; “Falsifikim i vulave dhe stampave ose formularëve”; “Falsifikim i letërnjoftimeve pasaportave ose vizave”; “Falsifikim i dokumenteve shkollorë”; “Prodhim e shitje narkotikësh”.

Operacioni u krye nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Drejtorinë e Forcës Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme ligjore.




EMISIONET