Mbyllen vendvotimet për balotazhin në Maqedoni

Mbyllen vendvotimet për balotazhin në Maqedoni

Në Maqedoni ka përfunduar procesi i votimit për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, në të cilat rreth 833.716 qytetarë të regjistruar në listën e përgjithshme zgjedhore kanë zgjedhur 35 kryetarët e rinj të komunave.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 17:00, të drejtën e votës në rrethin e dytë për zgjedhjet lokale e kanë shfrytëzuar 43.83 për qind e votuesve.

Pjesëmarrja më e lartë nga 35 komunat ku u zhvillua balotazhi, është regjistruar në Demir Kapi, me rreth 76 për qind, ndërsa më e ulëta në komunën Shuto Orizare të Shkupit ku në votime kanë dalë 31 për qind e votuesve.

Sipas KSHZ-së, procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë kryesisht të qetë dhe demokratike, me përjashtim të disa problemeve teknike, të cilat, siç thuhet, janë evituar me kohë duke mundësuar kështu vazhdimin e procesit zgjedhor.

Edhe autoritetet e rendit kanë pohuar se procesi zgjedhor në përgjithësi u zhvillua në mënyrë të qetë, pa probleme serioze, që mund ta prishin rendin publik.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë konfirmoi se në komunën e Shuto Orizares në Shkup, policia ka arrestuar një person për shkak të përfshirjes në një rrahje me disa persona të tjerë.

"Gjatë procesit zgjedhor është regjistruar prishje e rendit publik në Shuto Orizare. MPB-ja ka dalë menjëherë në teren ku është ndaluar një person për shkak të përfshirjes në një rrahje jashtë qendrës votuese. Ende nuk dihen arsyet e incidentit”, deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.

Sipas tij, MPB-ja ka regjistruar edhe tri raste të fotografimit të fletës së votimit në vendvotimet në Shuto Orizare, Cërnice dhe Probishtip.

Organizata joqeveritare “CIVIL”, në një paraqitje për mediet ka denoncuar parregullsi në një zonë të Shkupit ku, siç thuhet, janë regjistruar raste të votimit familjar, një person për më shumë veta, pastaj raste të fotografimit si dhe disa shkelje më të vogla.

Gjatë paradites, asociacioni qytetar “MOST” që kishte numrin më të madh të vëzhguesve, kishte njoftuar për proces të rregullt zgjedhor./REL/

EMISIONET