Mbrojtja mjedisore, OKB miraton rezolutën për krijimin e një pakti global

Mbrojtja mjedisore, OKB miraton rezolutën për krijimin e një

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka aprovuar një rezolutë, e cila i hap rrugë arritjes së një marrëveshjeje globale për ligjet e mjedisit. Por rezoluta ka disa kundërshtarë, përfshi Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë. Ambasadorja amerikane në OKB argumentoi se një pakt i tillë nuk është në interesin e SHBA-ve.

Kombet e Bashkuara kanë hedhur hapin e parë drejt arritjes së një pakti global për mjedisin. Asambleja e Përgjithshme e organizatës vitoi të enjten një rezolutë që do të lejojë konkretizimin e një iniciative të presidentit francez Emmanuel Macron, prezantuar shtatorin e kaluar. Rezoluta i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres të krijojë një grup pune që do të identifikojë, vlerësojë dhe gjejë zgjidhje të mundshme për boshllëqet në ligjin ndërkombëtar ekzistues mjedisor. Raporti më pas do të paraqitet në seancën e Asamblesë së Përgjithshme, duke filluar nga muaji shtator.

Pakti global ka për qëllim të jetë marrëveshja e parë ndërkombëtare detyruese që mbledh dhe harmonizon të gjithë ligjet mjedisore në një dokument të vetëm. Por Rusia dhe Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar miratimin e kësaj rezolute. Sipas ambasadores amerikane në OKB, Nikki Haley, nuk është në interesin e SHBA-ve t’i bashkohet këtij pakti. “Kur trupat ndërkombëtare përpiqen të detyrojnë Amerikën të bëhet pjesë e angazhimeve të paqarta mjedisore, kjo është shenjë se qytetarët dhe bizneset amerikane do paguajnë një faturë të majme pa marrë përfitime po aq të majme,” argumentoi Haley.

Kundërshtia amerikane ishte e pritshme nisur nga fakti se presidenti Donald Trump njoftoi tërheqjen e vendit nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, qershorin e vitit të kaluar. Për më tepër, Shtetet e Bashkuara duket se kanë shënuar një tjetër hap prapa sa i përket kontrollit të ndotjes që prodhohet në vend. Administrata ka ndërprerë financimet për sistemin monitorues të gazeve serrë të agjensisë hapësinore NASA.

EMISIONET