Kryebashkiakja e Shkodrës kërkon shpalljen e gjëndjes së emergjencës për njësitë administrative Anë e Malit dhe Dajç, si pasojë e përmbytjeve.

Ademi: Kërkojmë që të kihet në vëmendjen e Komisionit të Emergjencave në nivel kombëtar sepse dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme.

Ademi mohoi faktin se i mungon institucionit që drejton një plan menaxhimi për të tilla situata dhe i bëri thirrje prefektit Çesk Millja të thërrasë me urgjencë shtabin e emergjencave civile.

Voltana Ademi: Shtabi i Emergjencave në prefekturë të mblidhet dhe të bëjë një analizë të situatës. 

Në orët e mbrëmjes sipërfaqja e përmbytur në Anë të Malit ka arritur në 900 hektarë, me një rritje të nivelit të ujit nga 30 në 50 cm.

Në Dajç janë 100 hektarë me rritje të nivelit të ujit 25 deri 30 cm dhe në Berdicë janë 20 hektarë tokë në ujë.

Ndërkohë moti i keq ka shkaktuar pasditen e të martës një stuhi të fortë në gjirin e Vlorës.

Deti me dallgë ka përparuar duke dalë mbi shëtitoren e Lungomares. Uji ka kaluar trotuarin e më pas ka përmbytur aksin ku lëvizin automjetet.

Më herët gjatë ditës në Vlorë u pezullua lundrimi i peshkarexhave dhe i anijeve pasi forca e detit ishte mbi 8 ballë.

Edhe në qytetin e Durrësit janë regjistruar shtrëngata ere të fuqishme ndërsa rrugët u mbuluan nga uji.

Në disa lagje të Durrësit niveli i ujit ka arritur deri në 40 cm, në zonën e Spitallës, në Shkozet, tek ish-këneta dhe zona e plazhit.

Bashkia thekson se për shkak të shkarkimeve të HEC-ve zonat e përmbytura janë si më poshtë:

Muriqan - 350 Ha

Oblikë - 280 Ha

Obot - 270 Ha

Total - 900 Ha

Nga sipërfaqja e mësipërme,sipërfaqja e mbjellë me kultura bujqësore vlerësohet në 630 Ha , ndësa sipërfaqe e pakultivuar 270 Ha,të shpërndara si më poshtë:

1.Jonxhe 500 Ha

2.Kultura të dyta foragjere 100 Ha

3. Grurë 5 Ha

4. Sera 2 Ha

5. Bimë dekorative 20 Ha

6. Vreshtë 1 Ha

7. Ullishte 2 Ha

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, rezulton se “lumenjtë do të kenë prurje të larta kryesisht në pjesën veriore të territorit. Kjo për shkak të kombinimit të shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave dhe reshjeve të pritshme. Baseni Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës kanë patur tendencë për rritje të prurjeve dhe niveleve. Sot (e martë, dt.06) dhe në vazhdim përgjatë datave 7 dhe 8 Mars 2018 rritja e prurjeve dhe e niveleve në pjesën e Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës do të jetë më e ndjeshme. Rritja e niveleve në pjesën e Ultësirës së Shkodrës do të varet edhe nga shkarkimet e kaskadës në Lumin Drin. Paraprakisht, nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM në pjesën e Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës, rritet rreziku i zgjerimit të hartës së përmbytjeve në zonën e Nën-Shkodrës. Nivelet më të larta janë llogaritur të arrihen në datën 8 Mars 2018.”

/Ora News.tv/