KLSH vijon të raportojë çdo vit e më shumë abuzime me fondet publike por po kësht drejtësia vijon të mos dënojë asnjë përgjegjës për këto abuzime. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit vetëm gjatë vitit 2017 janë dokumentuar mbi 800 milion euro dëm buxhetit të shtetit dhe çdo javë nga një të kallëzuar por asnjë prej dosjeve nuk ka çuar njeri pas hekurave për të paguar për çdo abuzim. Në analizën vjetore, kryetari Bujar Leskaj evidentoi se sektorët me më shumë abuzime janë administrimi i pronës shtetërore, doganat dhe prokurorimet publike.

Mbi 800 miljon euro dëm, pothuajse çdo javë nga një kallëzim penal dhe asnjë të dënuar.

Puna e Kontrollit të Lartë të Shtetit ka pasur këtë fat edhe gjatë vitit 2017, ku siç duket nga të dhënat, abuzimi me fondet publike ka qenë më i lartë se viti 2016 ku dëmi ekonomik shkaktuar buxhetit ishte 534 milion euro.

Leskaj: Në total janë konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliard lekë ose afërsisht 826 milion euro.

Dhe bazuar në analizën vjetore, sipas kreut të KLSH rezulton se administrimi i pronës shtetërore ka peshën kryesore në këtë dëm, e ndjekur nga doganat dhe prokurimet publike.

Leskaj: Mungesa e inventarizimit të pronës publike vijon prej më shumë se 20 vite të jetë një nga problemet kryesore.

Si një institucion që jo vetëm kontstaton por edhe sugjeron, KLSH ka një këshillë për qeverinë: Të tregojë kujdes me programimet buxhetore pasi borxhi publik nuk po ulet në nivelet e synuara.

Leskaj: Se vijohet me praktikat e programimeve jo realiste të buxhetit, sëmundje kjo e qeverive shqiptare në këto vite.

Qeveria ka nisur reformën e ujit, por për kreun e KLSH-së Leskaj, abuzues të mëdhenj janë edhe Drejtorët e Ujësjellësave.

Leskaj: Më përpara ky aksion pikë të parë duhet të ketë zbatimin e masave ndëshkuese ndaj drejtuesve abuziv në këto vite.

Për kreun e shtetit, Ilir Meta, evidentimi i abuzimeve me fondet shtetërore ndikon në rritjen e besimit të publikut.

Meta: Një moment që lidhet drejtëpërdrejtë me misionin tuaj është domosdoshmëria dhe nevoja që ekziston për të rikthyer besimin tek institucionet publike dhe vendimmarrja e tyre.

Përgjatë vitit 2017 Kontrolli i Lartë i Shtetit ka depozituar në prokurori kallëzime penale për 129 persona në nivele të ndryshme drejtuese.

KLSH e ka ngritur si shqetësim që kallëzimet e bëra prej këtij institucioni nuk kanë çuar asnjë person para ligjit, por ndoshta reforma në drejtësi do të ndikojë edhe në këtë hallkë në mënyrë që abuzimet të mos jenë më numra por të kenë edhe emra përgjegjësish.



Shkeljet sipas sektorëve
Shitja dhe dhënia me qera e pasurisë shtetërore 36%
Riblerja e pasurisë shtetërore 24 %
Sektori i doganave 16%
Prokurimet Publike 14%
Sektori i Tatim-taksave 3%

/Ora News.tv/