Është çelur edicioni i dhjetë i panairit “Work & Study”, i organizuar nga Bashkia e Tiranës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë si dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Mbi 3000 vende të lira pune janë për punëkërkuesit në panairin që do të mbahet deri më 2 maj.

Mbi 3000 vende të lira janë në dispozicion të gjithë atyre që kanë në kërkim të një pune. 

Në mjediset e Muzeut Kombëtar u çel edicioni i dhjetë i panairit “Work & Study”, i organizuar nga Bashkia e Tiranës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë si dhe Ministria e Arsimit dhe Sporteve ku marrin pjesë 65 kompani, universitete e institucione të ndryshme.

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jakaj, ju bëri ftesë punëkërkuesve që të gjejnë veten në këtë panair.

Nikolin Jakaj: "Kemi shumë punë kërkues ndërkohë që nga ana tjetër kemi shumë vende pune të hapura në këtë panair. I bëj thirrje të hapur të gjithë punë kërkuesve, studentëve, të rinjve që duan punë dhe janë të aftë të japin kontributin e tyre në ekonominë e vendit tonë të vizitojnë panairin e punës 'Work and Study" dhe jam i bindur që do gjejnë veten në stendat dhe intervistat që do bëjnë."

Bashkia e Tiranës ofron në këtë panair mundësinë për 90 aplikantë që të bëhen pjesë e administratës së saj në sektorë të ndryshëm.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ftoi të gjithë të rinjtë dhe të rejat që të vizitojnë stendat e këtij panairi për të filluar një rrugëtim të ri në karrierën e tyre.

Veliaj: “Përveç vendeve të punës kemi disa oferta shumë të mira për praktikë. Bashkia e Tiranës në vetvete ka 90 pozicione pune, përfshin bashkinë, përfshin disa drejtori dhe agjenci apo kompani bashkiake siç mund të jenë parkingjet, ujësjellësi për ata që janë inxhinierë hidro. Ndërkohë për herë të parë kemi futur konceptin e praktikave me pagesë. Ne nuk besojmë te skllavëria. Ka kompani apo zyra të ndryshme që patjetër e aplikojnë praktikën si një mënyrë për të pasuruar CV. Te Bashkia e Tiranës nuk duam që të pasuroni vetëm CV, duam që të vini dhe disa para në xhep, qoftë edhe lekë xhepi siç thuhet. Kështu që të gjitha praktikat në Bashkinë e Tiranës janë edhe me një pagë minimale. Është një mënyrë se si siguroni disa të ardhura, por fundja fundit edhe se si keni në CV tuaj punën e parë mbi të cilën pastaj mund të ndërtoni karrierë për punë të tjera”.

Veliaj u bëri thirrje bizneseve që t’i bashkohen nismës për Kartën e Studentit duke ofruar çmime të reduktuara për studentët.

Ndërkohë në Këshillin Kombëtar të Punës ministrja e Financave Anila Denaj theksoi se në fokus do të jetë informaliteti, profesionaliteti i inspektorëve si dhe siguria në punë.

Denaj: Në vitin 2018, janë 195 të aksidentuar në punë, pjesa më e madhe janë në ndërmarrjet e prodhimit, në miniera dhe sektori i ndërtimit. Ndërkohë, numri i inspektimeve në kompani për aksidente në punë është rritur në 162 nga 115 që ka qenë një vit me parë. Pra, fokusi i Inspektoratit është edhe te kjo pjesë e sigurisë dhe shëndetit në punë, drejt parandalimit të aksidenteve në punë.

Bizneset ngritën si shqetësim mungesën e profesionistëve, ndërsa premtuan angazhim në kuadër të luftës kundër informalitetit.

/Ora News.tv/