Mbështesim me forcë luftën e banorëve të Bulqizës

Mbështesim me forcë luftën e banorëve të Bulqizës

Banorët dhe shoqëria civile prej muajsh po protestojnë kundër prerjes së një masivi pyjor, ndër të vetmit të mbetur në fshatrat e Fushë-Bulqizës. Banorët e fshatrave Kodra e Danit, Dushaj, Koçaj dhe Kokërdhok, prej gati 4 vitesh janë përleshur edhe me policinë dhe drejtuesit e kompanive koncesionare për të penguar shfarosjen e zonës së fundit pyjore të mbetur në këtë zonë. Historia e këtij pylli të mbetur mes shkretëtirës në këtë zonë dikur piktoreske, është dëshmia tragjike se si janë sjellë dhe sillen qeveritë me pasuritë kombëtare të shqiptarëve me krimet që i janë bërë natyrës dhe pasurisë kombëtare në çdo cep të vendit, nga Valbona, kanionet e Skraparit, Lurë, bregdet e deri në Tiranë. Masivi pyjor iu dha me koncesion një firme nga qeveria e Rilindjes në vitin 2015, edhe pse banorët nuk ishin pyetur dhe ishin shprehur kundër shfrytëzimit nga privatët, sepse prerja e tij do të prekë burimet jetike të ekzistencës së tyre. Pas peticionit të parë të banorëve prefekti i Dibrës urdhëroi pezullimin e punimeve për hapjen e rrugës auto-pyjore, por koncesionari e kundërshtoi këtë vendim si të jashtëligjshëm. Megjithatë puna për hapjen e rrugës u bllokua. Por pak kohë më parë koncesionari rinisi punën  për  hapjen e një rruge të dytë, ndërsa banorët thanë se po u bëhet presion nga zyrtarët dhe policia vendore  që të mos pengojnë punimet.

ZGJIDHJA mbështet protestën e ligjshme dhe qytetare të banorëve të zonës.  Ata e kanë mbrojtur dhe zhvilluar këtë zonë, ndër të vetmet të paprekura në Shqipëri, brez pas brezi, sepse jeta e tyre ka qenë dhe është e lidhur me pyllin. Ai u ka dhënë ujin e pijshëm dhe të vaditjes, drutë e zjarrit, ajrin e bjeshkëve dhe vetë jetën. Por qeveria, pasi i ka lënë të harruar, i ka zhytur me mjerim dhe skamje, duke u marrë gjithçka, tani po tenton t’u marrë edhe jetën.

ZGJIDHJA fton banorët e zonës dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile që të vijojnë pareshtur protestën për të mbrojtur pasuritë kombëtare që nuk i prekën as pushtuesit e shumtë që shkelën në këto troje. Veprimtarët e ZGJIDHJA-s janë me ato gra dhe vajza që prej muajsh po bëjë roje për të mbrojtur pyllin nga koncensionarët e licensuar nga qeveria, me burrat dhe të rinjtë që nuk po u përulen presioneve të pushtetit. Ajo u bën thirrje zyrtarëve të ndershëm të pushtetit që të mendojnë për të sotmen dhe të ardhmen e vendit dhe të refuzojnë urdhrat kriminalë që vijnë nga zyrat e qeverisë së marrë peng prej klientëve të saj.

#ZgjidhjaPërShqipërinë

EMISIONET