Gjykata ka vendosur në masën e arrestit vetëm për 3 prej administratorëve të akuzuar për shkaktimin e 18 milionë eurove dëm fiskal. Të tjerët do të qëndrojnë në detyrim paraqitje.

Vetëm 3 nga 13 biznesmenët të cilët u arrestuan nën akuzën për mashtrim me skemën e TVSH-së dhe evazion fiskal duke i shkaktuar dëm shtetit në vlerën 18 milionë euro  do të qëndrojnë në 'arrest me burg për 30 ditë'.

Gjykata e Tiranës ka vendosur “detyrim paraqitje” për të tjerët deri në përfundimin e dosjes prej prokurorisë.

Në mbarim seancës gjyqësore, në një prononcim për mediat avokati Enea Cenko deklaroi se klientët e tij janë të pafajshëm dhe kanë rënë preh e një rrjeti të madh piramidal.

Cenko: Këta persona janë të pafajshëm sepse janë viktima të një rrjeti të madh piramidal mashtrues, nuk e kanë ditur se çfarë do të ndodhte, pjesa më e madhe e tyre janë ma arsim të mesëm dhe të ulët dhe nuk e dinin çfarë do të ndodhte me ta, por kushtet e vështira ekonomike kanë bërë që këta persona të shkojnë dhe të firmosin dhe mbi të gjitha kushtet ekonomike ekstreme kanë bërë që persona të jenë pjesë e kësaj skeme mashtrimi, dhe prokuroria do hetojë se kush janë peshqit e mëdhenj dhe kush janë cironkat. Klienti im ishte Bledar Metko, ndodhet në kushte ekstreme varfërie, ka një fëmijë të vogël që sot e priste në shtëpi, ka një varfëri të tejskajshme.

Sipas akuzës, administratorët e 20 kompanive kishin bërë shitblerje fiktive të mallrave me qëllim uljen e vlerës së TVSH dhe të tatim fitimit.


Një ditë më parë Prokuroria e Tiranës regjistroi procedimin penal 10 153 të vitit 2018 për veprën penale të krijimit të skemave mashtruese me qëllim kreditimin e tvsh. Ajo theksoi se do të vijojë hetimet për identifikimin e saktë dhe të plotë të subjekteve përfituese nga kjo skemë mashtruese.

"25 personat figurojnë administratorë të subjekteve të dyshuara fiktive që kanë lëshuar fatura të falsifikuara për subjekte të treta me një dëm për buxhetin e shtetit me vlerë 18 miliardë lekë. Janë ekzekutuar 13 urdher ndalime duke shpallur në kërkim 12 persona të tjerë. Hetimet do të vijojnë ne identifikimin e saktë e të plotë të subjekteve përfitues të skemës" informon gazetarja e Ora News, Keti Banushi

Dosja-  Ora News siguron dosjen e prokurorisë lidhur me shoqëritë objekt hetimi si dhe 30 personat që kryenin blerje fiktive nga shoqëritë që operojnë në fushën e tregtimit të produkteve ushqimore. TVSh e mbledhur nga këto blerje më pas e shisnin në mënyrë fiktive te shoqëri të treta që operojnë në fushën e ndërtimit.

"Nga të dhënat e sipërcituara rezulton se shoqëritë objekt hetimi kanë kryer shitje në total vlerën 4.265.939.484 lekë, me TVSH në vlerën totale 710.989.914. Sa më sipër nga analizimi dhe studimi i të dhënave shoqëri objekti hetimi kanë funksionuar si satelit (ndërmjetëse_ duke u përdorur nga shoqëri importuese që operojnë në fushën e artikujve ushqimor për të shkarkuar vlerën totale 4.265.939.484 lekë, e cila më pas nga këto subjekte është bërë e mundur që kjo vlerë të injektohet në mënyrë indirekte në shoqëri tregter që operojnë në fushën e ndërtimit, këto të fundit me kontabilizimin e kësaj vlerë kanë ulur pagesën e TVSH mujore, si edhe duke rritur fiktivisht shpenzimet vjetore duke ulur në këtë mënyrë normën e TF" shkruhet në dosjen e prokurorisë. 

Ne listpagese vetem administratori- Subjektet tregtare rezultojnë nga dokumentet e gjetura në organet tatimore se kanë deklaruar vlera të konsiderueshme në shitje dhe në blerje. Shitjet janë të gjitha të kryera në subjektet që operojnë në fushën e ndërtimit dhe blerjet të gjitha nga subjektet importuese të artikujve ushqimorë.  Nga ana tjetër nuk kanë kapacitete në burime njerëzore për të ushtruar aktivitetin në vlera të larta. Për një periudhë të gjatë kohore këta subjekte kanë pasur të punësuar në listpagesën e tyre vetëm administratorin e shoqërisë.

Subjektet tregtare

Sula & Leo me administrator B.O

Bruna-al me administrator L. O

Jonufri me administrator M. B

Sim B2 me administrator G. D

UFI02 me administrator K. M

Ori me administrator K.Rr

Lumi 6 me administrator L.M

AA- 117 me administrator D.F

RSI&T group me administrator L. J

Al Ber Co&Co me administrator E.Ç

Ri- Gre 96 me administrator B.M

Ez&La me administrator E.F

Nada 2005 me administrator D. R

Kristi Al Construksion me administrator A.R

Caci me administrator A.C

Uesli me administrator D.C

Frogy 03 me administrator V.Sh

Leli 17 me administrator E.Sh

O&B me administrator G.D

Sipas prokurorise janë në objekt hetimi 20 shoqëri dhe 30 persona që kanë kryer blerjet fiktive.  Gjithashtu prokuroria dyshon se mund te kete dy apo më shumë studio kontabël që bëjnë rakordimet e faturave dhe deklarimin e tyre në sistemin tatimor.

"Nga analiza e të gjithë fakteve dhe provave të grumbulluara nga ana jonë, kemi dyshimin e arsyeshëm se nga ana e këtyre subjekteve është ngritur një skemë mashtrimi me qëllim shmangien e pagesës së TVSH-së, duke kryer blerje në mënyrë fiktive për të u ngarkuar me gjendje TVSH dhe më pas këtë gjendje TVSH ta përdorin duke kryer shitje në mënyrë fiktive të subjekteve të treta, këto të fundit me këto blerje ulin fashën e pagesës mujore të TVSH-së, is edhe ulin normën e TF, duke rritur fiktivisht shpenzimet vjetore" thuhet në dosjen e prokurorisë

Hetimet e para u bene nga drejtoria e Hetimit Tatimor të Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë.

/Ora News.tv/