Menaxheri i kompanisë “Gulf Oil”, Albano Aliko, është shpallur në kërkim, pasi akuzohet se ka krijuar një skemë mashtrimi me tollonat e “Gulf”, në prag të falimentimit. Prokuroria e Tiranës thotë se u ka marrë 1.5 milionë euro konsumatorëve dhe institucioneve të ndryshme, ndërsa në total dëmi financiar arrin deri në 5 mln euro.

Prokuroria ka nisur hetimet ndaj kompanisë "Gulf Oil", nisur nga akuzat e ngritura për mashtrimin me tollonat e shpërndara te klientët. 

Po ashtu mësohet se dhe menaxheri i kompanisë, Albano Aliko, tashmë është shpallur në kërkim. 

Dyshimet janë se ai ka shitur një numër të madh tollonash pak ditë përpara mbylljes së aktivitetit në pikat e tregimit të karburanteve, ndërkohë që kompania nuk e ka pasur në gjendje sasinë korresponduese të naftës dhe benzinës.

Nga hetimet e para dyshohet se dëmi ndaj klientëve shkon rreth 1.5 milionë euro. 

Disa muaj më parë kompania “Gulf Oil” ka shitur tollona 120 lekë për litër, një çmim ky mjaft i favorshëm në krahasim me tregun. 

Prokuroria e Tiranës dyshon se menaxherët e “Gulf”-it, me vetëdije kanë bërë një veprim të tillë, teksa me shumicë çmimi i një litër karburant është edhe më i lartë. 

Por po ashtu në skemën e detyrimeve mësohet se janë dhe 5 milionë euro detyrime tatimore të papaguara. 

Nga këto, 2 milionë euro është detyrimi që kompania kishte ndaj pikave të shitjes së karburanteve që kishte marrë me qira. “Gulf” filloi aktivitetin në vitin 2013, kur krijoi shoqërinë “Sun Petroleum”. 

Shkurtin e vitit 2014, shoqëria u ble nga kompania “offshore” “Universal Energy Group” dhe më 9 mars, administratori gjeorgjian i kompanisë Irakli Svanidze dha dorëheqjen për arsye personale. 

 

/Ora News.tv/