Martirizimi i 22 intelektualëve, Basha: Kambanë alarmi kur Parlamentin e pushton partia

Martirizimi i 22 intelektualëve, Basha: Kambanë alarmi kur Parlamentin

Në 68-vjetorin e martirizimit të 22 intelektualëve shqiptarë, kreu i PD, Lulzim Basha thotë se kjo duhet të shërbejë si kambanë alarmi edhe sot.

Në një status në facebook, Basha thotë se këto efekte prodhohen kur vendimet i merr partia apo kur parlamentin e pushton partia.

Statusi i Bashës në Facebook

68 vjet më parë dje, në një akt të pastër terrori, me një vendim të Byrosë Politike të Partisë Komuniste, 22 intelektualë shqiptarë u pushkatuan, pa gjyq. Diktatori komunist e paraqiti terrorin e partisë si një akt të besnikërisë ndaj Bashkimit Sovjetik dhe vetëm më pas, plotësoi edhe letrat formale të gjyqit. Në mes të të vrarëve, pinjollë të familjeve të njohura të kryeqytetit e të të gjithë Shqipërisë ishte edhe një zonjë, njëra nga shkencëtaret e para të vendit, Sabiha Kasimati. Përzgjedhja e diktaturës ishte një përzgjedhje që terrori të ishte efektiv dhe për këtë përzgjedhje, vendimet mund t’i merrte vetëm partia-shtet.

Për zbardhjen e këtij akti makabër është bërë mjaft gjatë këtyre 30 viteve, që prej vitit 1993, kur dëshmitarë dhe banorë të zonës rrëfyen se ku ishte varri masiv i 22 martirëve. Por nuk mund të themi se po bëhet shumë për institucionet e kujtesës. Ruajtja e kujtimit i shërben shmangies së çfarëdolloj përpjekjeje për rehabilitimin e diktaturës apo, më keq akoma, për rikthimin në krye të institucioneve publike të nomenklaturës komuniste të brezit të parë apo të dytë.

22 intelektualët u pushkatuan me vendimin e një partie e cila e kishte kultin e krimit në filozofinë e vet. Sot ne ballafaqohemi me mungesën e vetëdijes dhe të kujtesës.

Shohim se si përditë riqarkullohen emra xhelatësh në institucionet e drejtësisë e në institucionet e shtetit. Përvjetori i 68-të i martirizimit të 22 intelektualëve, në emrin e terrorit komunist, duhet të na shërbejë si një kambanë alarmi se ç’efekte prodhohen kur vendimet i merr partia, kur parlamentin e pushton partia, kur partia vendos të të gradojë pse je hajdut apo kur partia vendos të të dënojë pse je kundërshtar politik.

EMISIONET