Diplomati, Paskal Milo, e vlerëson tejet të rëndësishëm Samitin e Berlinit për mesazhin që përcolli në raport me Kosovën.

Milo: Për mua nuk ishte kaq i dështuar, për Thaçin dhe Kosovën mund të ishte i dështuar sepse nuk u dhanë garanci për liberalizimin e vizave dhe aty u shfaqën përsëri qëndrimet e vjetra serbe ndaj zgjidhjes së Kosovës. Por pati një element pozitiv sepse pati një shprehje të qartë të vullnetit të dy vendeve të BE për ta rimarrë lidershipin e procesit negociues mes Kosovës dhe Serbisë. Ky ishte një mesazh dhe nuk është pak.

Duke komentuar kërkesën e presidentit Thaçi që në dialogun me Serbinë të përfshihen dhe SHBA-të, Milo deklaroi në RTV Ora se kreu i shtetit të Kosovës ka të drejtë në kërkesën e tij për angazhim të amerikanëve, por këta të fundit sipas tij nuk duket se e kanë prioritet Ballkanin Perëndimor.

Milo: Ka besim më tepër te SHBA për shkak se BE ndodhet në një fazë ku nuk shkëlqen në politikën e jashtme. Ndodhet në krizë dhe e ka humbur atë vendosmëri dhe politikë që duhet ta karakterizojë. Ka probleme me veten e vet. Thaçi ka të drejtë që kërkon angazhimin më të madh amerikan por sesa do të angazhohen amerikanët mbetet për tu parë.Deri tani politika amerikane ka dëshmuar se nuk e shikon me prioritet Ballkanin Perëndimor.

E teksa Presidenti i Kosovës u shpreh optimist dhe në Tiranë për përmbylljen e një marrëveshje mes dy vendeve sovrane dhe të pavarura, siç tha ai, Milo thotë se Thaçi e ka lënë evazive se me çfarë çmimi.

Milo: E kam dëgjuar dhe herë të tjera që shprehet optimist për një marrëveshje por zhvillimi i ngjarjeve nuk dëshmon që ka progres dhe që mund të ushqehet një optimizëm i tillë. Ajo që Thaçi e lë të vakët është se çfarë marrëveshje, do përfshijë dhe çështjen e korrigjimit të kufijve apo do të jetë një marrëveshje mbi bazën e marrëveshjes së prillit 2013? Këtë nuk e bën të qartë.

/Ora News.tv/