Marrëveshja bërthamore me Iranin, Fuqitë kërkojnë të shpëtojnë marrëveshjen pas daljes së SHBA

Marrëveshja bërthamore me Iranin, Fuqitë kërkojnë

Aleatët europianë kanë kërkuar me ngulm të shpëtojnë paktin ndërkombëtar bërthamor me Iranin, pasi presidenti Donald Trump lajmëroi tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga akordi historik. “Marrëveshja nuk ka vdekur. Ka një tërheqje amerikane, por marrëveshja është ende aty,” u shpreh ministri i jashtëm francez. Ai gjithashtu konfirmoi se presidenti Emmanuel Macron do të zhvillojë një bisedë me homologun e tij iranian më vonë.

Udhëheqësit e Britanisë, Gjermanisë dhe Francës dolën me një deklaratë të përbashkët se vendimi i Donald Trump është shkak për “keqardhje dhe shqetësim.” Edhe Kina e Rusia, nënshkruese të marrëveshjes bërthamore të 2015, shprehën keqardhje për lëvizjen e presidentit Trump. 

Megjithatë në lajmërimin për tërheqjen nga pakti, presidenti amerikan gjithsesi la të hapur derën e negocimit të një marrëveshjeje të re me aleatët, por nuk është ende e qartë nëse europianët do të pranonin një mundësi të tillë ose nëse ata do të arrinin ta bindnin Iranin të pranonte.

Në anën tjetër, Teherani zyrtar konfirmoi përpjekjet për të shpëtuar marrëveshjen, por kërcënoi se do të fillonte pasurimin e uraniumin në rast të kundërt. Presidenti Hassan Rouhani deklaroi se ai i kishte kërkuar ministrisë së jashtme të vendit të negocionte me shtetet europiane, Kinën dhe Rusinë në javët në vijim, për të vijuar bashkëpunimin e parashikuar në këtë marrëveshje.

EMISIONET