Maqedonia e Veriut përgatitet për vizitën e Papa Françeskut

Maqedonia e Veriut përgatitet për vizitën e Papa

Autoritetet maqedonase po përgatiten për të pritur papa Françeskun i cili do të shkojë në Shkup më 7 maj. Kryeministri Zoran Zaev tha se vendi i tij ndihet i nderuar për ardhjen e njërit prej drejtuesve më të rëndësishëm botërorë e shpirtëror që paraqet frymëzim për miliona besimtarë dhe qytetarë të vullnetit të mirë”. Autoritetet kanë ndarë 15 mijë vende në sheshin e Shkupit ku papa Françesku do të mbajë meshën e shenjtë.

Një papë do të vijë për herë të parë në Maqedoninë e Veriut, një vend ku ka një komunitet shumë të vogël katolik, por Shkupi si vendlindja e shenjtores Nëna Terezë, si duket është ajo që do të ketë nxitur kreun e Vatikanit që më 7 maj të vijë këtu.

Autoritetet po përgatiten për këtë ngajrje të madhe ndërsa masat e sigurisë do të jenë pothuaj se të papara deri më tash në Shkup.

“Papa Françesku zgjodhi ta vizitojë kishën katolike dhe popullin e Maqedonisë së Veriut dhe në këtë mënyrë ta tregojë afërsinë e tij personale dhe simpatitë e forta të Vatikanit për vendin tonë”, tha kryeministri Zoran Zaev.

“Republika e Maqeodnisë së Veriut i bëri të gjitha përgatitjet për pritjen e njërit prej drejtuesve më të rëndësishëm botërorë e shpirtëror që paraqet frymëzim për miliona besimtarë dhe qytetarë të vullnetit të mirë”, theksoi ai, për të shtuar se: “Ardhja e tij në qytetin e lindjes së Nënës Tereze, e cila u shnëdrrua në vetëdijen morale të botës, ka një simbolikë dhe mesazh për pajtim dhe solidaritet”.

Ipeshkvi i Kishës katolike të Shkupit, Kiro Stojanov tha se së bashku do të jenë papa me kardinalë e arqipeshkëv e ipeshkëv, priftërinjë e popullin “me dëshirën për të dëshmuar se Jezu Krishti është gjallë dhe u ringjall dhe se tash është në mesin tonë”.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të vendit dhe të vendeve fqinje që në numër sa më të madh të marrin pjesë në meshën e 7 majit në sheshin kryesor të Shkupit për ta begatuar këtë vizitë të çmueshme të Papa Françeskut dhe që të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje historike.

Papa Françesku do të arrijë në orët e hershme të mëngjesit të shtatë majit në aeroportin e Shkupit, i shoqëruar nga një delegacion tridhjetë anëtarësh të Vatikanit, ndër ta Sekretari Shtetëror, kardinali Pjetro Parolin, prefekti i Kongregacionit për çështjen e kishave lindore, Kardinali Leonardo Sandri si dhe kryetari i Këshillit të Pontifikatit për promovimin e bashkimit krishter, kardinali Kurt Koh.

Papa do t’u drejtohet krerëve shtetërorë dhe zyrtarëve të lartë qeveritarë në presidencën e Maqedonisë së Veriut, ku do të jenë edhe diplomatët e huaj dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Më pas në shtëpinë përkujtimore të Nënës Terezë në Shkup ai do të takojë krerët e bashkësive fetare të vendit, përkatësisht të Kishës Ortodokse maqedonase, të Bashkësisë Fetare Islame, të Kishës Evangjeliste Metodiste dhe të Bashkësisë Hebreje dhe me persona vulnerabël, në shenjë bamirësie për këtë kategori njerëzish.

Ndërkaq, mesha e shenjtë do të fillojë në ora 11:30 në sheshin qendror; më pas në kishën katolike Zemra e shenjtë e Krishtit, papa do të takojë priftërinjtë dhe familjet e tyre dhe besimtarët.

Në sheshin e Shkupi do të ketë vend për 15 mijë njerëz dhe ata do të duhet të marrin paraprakisht bileta të cilat janë falas. Kjo si masë e shtuar sigurie. Qytetarëve, veç tjerash, u kërkohet të mos mbajnë flamuj të mëdhenj. Interesi i medias është tepër i madh për këtë ngjarje; 400 gazetarë kanë kërkuar të akreditohen, prej tyre 200 të huaj./VOA/

EMISIONET