Dështojnë përpjekjet e Kuvendit për leximin e tretë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Fillimisht seanca e caktuar për në orën 12 u shty për në orën 15, por edhe këtë herë deputetët nuk u thirrën në sallë nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Burime nga partitë parlamentare bëjnë të ditur se shtyrja e leximit të tretë, respektivisht shqyrtimit të mbi 35 mijë amendamenteve të VMRO-DPMNE-së u bë për shkak të mos gjetjes së gjuhës së përbashkët mes partnerëve të koalicionit, LSDM-BDI. Kjo e fundit përfshi edhe kreun e Kuvendit ka kërkuar që leximi i tretë të kalojë pa shqyrtuar asnjë amendament të opozitës, por nga ana tjetër socialdemokratët nuk kanë pranuar një veprim të tillë. Sipas partisë së Kryeministrit Zoran Zaev, shqyrtimi i amendamenteve nuk është i domosdoshëm, por votimi i tyre një për një duhet bëhet, veprim ky i cili do të zgjaste me muaj. Kjo mos marrëveshje ka bërë që seanca për leximin e tretë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve të dështojë edhe njëherë dhe të shtyhet në afat të pacaktuar.

Nga ana tjetër tjetër deputetët e VMRO-DPMNE-së, si zakonisht për seancën ku duhet shqyrtuar mbi 35 mijë amendamentet për këtë ligj u kthyen në Kuvend. Prononcimet e tyre në takime jo formale me gazetarët ishin të shkurtra, Kuvendi duhet të veprojë sipas Rregullores.

Tashmë disa javë, amendamentet e partisë së Hristijan Mickoskit po qëndrojnë në sirtarët e Kuvendit. Vetë kreu i VMRO-DPMNE-së, pak ditë më parë deklaroi se variant i vetëm për tërheqjen e partisë së tij nga amendamentet është anulimi i ligjit aktual dhe hartimi i tij më konsensus të gjerë dhe më përfshirjen e ekspertëve. Por partia e Ali Ahmetit nuk pranon një gjë të tillë. Sipas tyre, ligji duhet të miratohet ashtu si kaloi fazat paraprake, duke mos pësuar asnjë ndryshim.

Ligji për përdorimin e gjuhëve u votua më 11 janar ndërsa më 17 janar, Presidenti Gjorge Ivanov njoftoi mos dekretimin e tij nën arsyetimin se i njëjti bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe cenon karakterin unitar të shtetit. Ligji për shqipen, përveç në Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare, ishte edhe njëri ndër parakushtet e subjekteve shqiptare për formimin e Qeverisë./Alsat-m

/Ora News.tv/