Manchester City i ka shpëtuar një dënimi nga FIFA për transferimin e lojtarëve nën moshë. Klubi e deklaroi hapur se ka thyer rregulloren e FIFA-s ndaj kjo e fundit nuk i vendos ndalim në merkato. Por Citizens nuk mund t’ia hidhnin me kaq pasi në adresë të tyre vjen një gjobë prej 370.000 frangash zviceriane.

Sipas FIFA-s kampionët e Premier Leagues kanë thyer artikullin e transferimit ndërkombëtar të lojtarëve nën moshën 18 vjeçare. Klubi anglez pranon se kjo ka ndodhur gjatë vitit 2016 ku kanë keqinterpretuar rregullin në fjalë. Ata kanë transferuar disa të rinj nga një akademi në Ganë dhe i kanë aktivizuar lojtarët pa arritur moshën 18 vjeç.

Një tjetër dënim vjen për Chelsean me 2 sezone ndalim të transferimit të lojtarëve por blutë e Londrës e kanë çuar si çështje në “Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv” pasi humbën tentativën e parë me vetë FIFA-n.

Artikulli 19 në rregullore

FIFA ndalon transferimin ndërkombëtar të lojtarëve nën moshën 18 vjeç nëqoftëse nuk plotësohen disa kushte. Ky rregull është vendosur për të ndaluar abuzimin dhe për t’i mbrojtur fëmijët. Të rinjtë mund të transferohen jashtë shtetit vetëm nëse:

-Fëmijët janë të shoqëruar me një prind i cili do të shpërngulet në qytetin ku është dhe klubi.

-Të dyja klubet që marrin pjesë në transferim duhet të jenë brenda Bashkimit Europian dhe lojtarët të jenë midis moshës 16-18 vjeç. Gjithashtu klubi që i merr duhet t’i ofrojë të gjitha kushtet e qendrimit.

-Të jetojnë afër zyrave të klubit.


/Ora News.tv/