Arben Malaj i përgjigjet Besart Kadisë: Nuk kam pranuar asnjëherë ‘qokë’

Arben Malaj i përgjigjet Besart Kadisë: Nuk kam pranuar

Pas shkrimit të ekspertit të ekonomisë, Besart Kadia, i cili shkruante se Malaj nuk duhej emëruar anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë ka reaguar vetë Arben Malaj.

Në përgjigjen drejtuar Kadisë, Malaj shkruan se nuk ka pranuar asnjëherë ‘qokë’, nga askush. As kur Ilir Meta ka dashur t’a bëjë pjesë të qeverisë së tij dhe as kur Pandeli Majko dhe Fatos Nano kanë kërkuar ta bëjnë ministër.

Përgjigja drejtuar Besat Kadisë: 

Në jetën time kam pasur fatin të identifikoj, inspiroj dhe mbështes shumë të rinj shqiptarë, sepse edhe unë kam pasur mbështetjen inspiruese të mësuesve dhe profesorëve të mi në çdo hap. Jam angazhuar nga OJQ shqiptare dhe të huaja në programe lidershipi dhe mentorship me të rinj shqiptarë, një shërbim mirënjohës ndaj vendit tim.

Besart Kadia është një koleg ambicioz dhe në përpjekje pozitive me vetveten për të krijuar identitetin e tij publik. Kjo është një gjë e respektueshme, ndoshta dallimi midis nesh është rruga që kemi ndjekur për të arritur plotësimin e ambicieve tona respektive.

Shkrimi i tij me “detyroi” t’i drejtohem fjalorit gjuhësor të vitit 2004, ku fjala “qokë” nënkupton edhe “kusht për një punë a për një vendim të marrë së bashku”.

I dashur Besart,

Arritja ime më e madhe në jetë nuk janë mandatet politike sepse shpesh ato vijnë edhe nga “qoka”, por mirëarsimimi edhe sot në çdo ditë dhe përballë çdo vështirësie.

Sinqerisht, gëzoj që ju u rritët në mes të Tiranës dhe unë në Llakatund të Vlorës që sot falë Reformës Territoriale është pjesë e qytetit të Vlorës. Ju u rritët në një familje anglishtfolëse dhe unë në një familje modeste që “gjuhën” e parë që më mësoi e kultivoi ishte gjuha e dashurisë për njerëzit dhe e respektit për vetveten.

Gëzoj që ju edhe shumë shqiptarë, përfshirë edhe vajzën time, patët mundësitë të studionit në universitet më të mira të botës, ndërsa unë në shkollën 8-vjeçare ne Llakatund, ku mund të mungonte gjithçka qe ju kishit si avantazh në Tiranë, por ju ndoshta nuk kishit të njëjtën përkujdesje, dashuri njerëzore dhe përkushtim me të cilën mësuesit tanë na mësonin dhe edukonin. Shumë prej tyre ishin mësueset e përshkruara me aq mjeshtëri nga shkrimtari i madh Ismail Kadare, ishin të thjeshta deri në madhështi.

Jam i kënaqur që edhe pse nuk u rrita në një familje “intelektuale”, u rrita në një familje arsimdashëse, ku 7 nga 9 fëmijët kanë diplomë universitare. U rrita në një familje të thjeshtë që vlerën më të madhe që më kultivoi ishte edukimi i zemrës, pa të cilën, siç thekson edhe Aristoteli, nuk mund të behësh dot njeri. Prandaj ritheksoj me forcë se shqiptarët meritojnë të qeverisen me zemër dhe jo me arrogancë.

Jo thjesht për ju, por sidomos në respekt për lexuesit e gazetës “Panorama”, të kolegëve dashamirës po pse jo edhe të kritikëve të mi, po e pranoj dorashkën që më keni hedhur për “dyluftimin” profesional.

Në jetën e përditshme fjala “qokë” nënkupton se ka një marrëveshje midis dy njerëzve, ti më bën një të mirë dhe unë ta shpërblej.

Pra, në kontestin tuaj unë nuk duhej të zgjidhesha anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë (KMBSH) sepse ne 2016-n qenka bërë një qokë, pra, unë nuk e meritoja, por ishte qoka e Ramës, merr këtë mandat, rehatohu aty deri në fund dhe mos kërko asgjë më shumë dhe mos më bezdis asnjëherë sepse ta bëra qokën. Por qoka, edhe në konceptin tuaj, “kadrianian”, ngjan me valsin austriak, pra, duhen dy veta që ta kërcejnë, ai që ta ofron dhe ti që ia pranon me “mirënjohje të thellë” edhe parakushtet e pashkruara. Të dy e kuptojmë thelbin e këshillës jo vetëm për tregjet financiare “Bëj kujdes nga dreka falas”, pra, askush nuk të jep asgjë falas.

Fatmirësisht, atje në Llakatund ku unë u rrita kishte një grup intelektualësh nga më të mirët në Vlorë si mjekë, agronomë, veterinerë dhe ekonomistë, të cilët ditën punonin dhe natën ishin profesorë në filialin e Fakultetit Ekonomik të Tiranës te gjimnazi “Ali Demi” në Vlorë.

Gjatë viteve 1980-1986 kam pasur fatin që gjatë pushimeve verore universitare të punoj edhe në të njëjtën zyrë me Pirro Dodbibën, një personalitet edhe shkencor. Më jepte të lexoja përmbledhjet e lajmeve nga bota, të shtypura në fletë të verdha, ku kishte edhe përmbledhje të të rejave shkencore në botë dhe që i lexonin një rreth shumë i vogël individësh, madje edhe në Tiranë. Kisha fatin të lexoja shumë kryevepra të letërsisë edhe botërore. Lexova në atë kohë edhe komedinë e Molierit “Shkolla e grave”, ku i zoti i shtëpisë e këshillonte gruan e tij se kur ai të ishte larg “të bënte kujdes nga kushdo, që mund t’i ofronte dhuratë se asgjë në atë kohë nuk hahet thatë”. Koha e Molierit i përket viteve 1600. Shumë e largët, por, fatkeqësisht, e njëjtë në këshillat e saj.

Kjo këshillë moleriane më ka ndihmuar kërcejnë, ai që ta ofron dhe ti që ia pranon me “mirënjohje të thellë” edhe parakushtet e pashkruara. Të dy e kuptojmë thelbin e këshillës jo vetëm për tregjet financiare “Bëj kujdes nga dreka falas”, pra, askush nuk të jep asgjë falas.

Të jem i sinqertë me vetveten, por edhe me Ramën, as ai nuk më kërkoi ndonjë “nder” për qokën tuaj aluduese për të heshtur publikisht dhe as unë nuk ofrova si mirënjohje ndonjë premtim se nuk do të isha më aktiv në analizat kritike publike, apo nuk do të synoja më të kthehesha në politikë. Sot nuk jam anëtar i asnjë partie, por mbetëm përherë mirënjohës për socialistët dhe kolegët e nderuar të PS-së për besimin, mbështetjen dhe vlerësimin inspirues në çdo mandat politik që më besuan.

Pra, thelbi juaj se unë nuk duhet të isha zgjedhur sepse jam zgjedhur me qoka – është minimalisht joprofesional dhe jo i sinqertë siç verifikohet shumë lehtë në faqen zyrtare të Bankës Qendrore Europiane (BQE), tradita profesionale është që përgjithësisht presidentët e saj kanë qenë ministra Finance, pastaj guvernatorë të vendeve të tyre dhe pastaj presidentë të BQE-së. Këtë traditë karriere profesionale afërsisht po ndjek edhe Lagarde, Presidentja e re e BQE-së, ish-ministrja e Financave e Francës dhe ish-shefe e FMN-së. Këtë traditë ndoqi edhe Marik Belka (ishkëshilltar i qeverive tona 1997-2002), ku kishte shërbyer si ministër Finance, më vonë u bë drejtor i Departamentit të Europës në FMN dhe më vonë Guvernator i Bankës së Polonisë.

Përzgjedhja ime në vitin 2016 në KMBSH ishte një nga momentet e mia profesionale më të arritura, sepse kolegët tuaj të opozitës, ndoshta edhe pa nivelin e “mirëarsimimit dhe të anglishtes suaj”, më bënë vlerësime maksimale në Komisionin e Ekonomisë për kontributet e spikatura profesionale në tranzicionin e vështirë të vendit tonë. Në 2016-n u votova me 100% të votave në Komision dhe në Kuvendin e Shqipërisë nga maxhoranca dhe opozita, dhe në rastin e 2018-s vetëm me dy vota kundër

I dashur Besart, detyrohem të qartësoj lexuesit e “Panorama” pse “qoka kadrianiane’ nuk ekziston sepse nuk kam bërë asnjëherë kompromise me integritetin tim njerëzor dhe profesional dhe nuk kam pranuar asnjë “qokë kadrianiane”, as në vitin 1997 kur kolegët më kërkonin të pranoja të isha zyrtarisht kandidat potencial për Kryeministër i Shqipërisë, as në vitin 2001, kur Meta, pasi bëmë një konkurrim në Asamblenë Kombëtare të PS-së për Kryeministër, më ftoi në qeverinë e tij dhe të bashkëpunonim për drejtimin e PS-së, nuk pranova qokë as kur Majko më ofroi të isha ministër në qeverinë e tij në 2002-shin, nuk pranova ndonjë qokë në 2002-shin kur Nano më ofroi postin e ministrit të Financave sërish, kjo edhe sepse te dera e shtëpisë kisha gati valixhen e bursës njëvjeçare 2002-2003 në Universitetin “GeorgeTown” në Washington me financim të plotë të qeverisë amerikane, nuk pranova ndonjë qokë as në 2011-2013, për të heshtur për domosdoshmërinë e modernizimit të Partisë Socialiste para zgjedhjeve si parakusht për modernizimin e qeverisjes së vendit. Besoj e kujtoni LMN-në.

Arritja ime më e madhe në jetë nuk janë dhe as nuk do të mbeten mandatet politike, por fakti që nga shkolla fillore në Llakatund, pas një shkolle të mesme profesionale pa shkëputje nga puna (kështu shkruhet në dëftesë), arrita të studioj një vit 2005- 2006, në një prej universiteteve më të mirë në botë dhe që në aspektin profesional e shkencor mbaj titullin “Profesor”.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, ndjesë, shumë ndjesë, më fal se desh harrova të theksoja se vlerësimi im për kontributet tuaj me qoka, është i imi dhe vetëm i imi dhe jo detyrimisht shpreh apo përputhet me vlerësimet e Bankës së Shqipërisë.

Ju lutem, theksojeni këtë në postimet tuaja në rrjetet sociale, sepse ky diskutim midis dy kolegëve pa këtë shënim mund të përdoret si fakt i provuar për shkarkimin tim.

Suksese, i dashur Besart, në karrierën tuaj pa qoka për vetveten dhe pa qoka kundër kolegëve dhe kujtdo tjetër. Sa për mua, ndihu i lirë të shkruash prapë, kam vetëm një merak se mos të kërkojnë ndonjë qokë, mund të të kërkojnë të dalësh dëshmitar në Parlament sepse për ata edhe në këtë debat publik midis kolegësh kam shkelur Kodin Etik të BSH-së, sepse po bëj politikë.

EMISIONET