Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u zotua se do ta rindërtojë katedralen mesjetare Notre-Dame, pasi një zjarr i madh shkatërroi pjesërisht simbolin e Parisit.

Zjarrfikësit arritën të shpëtojnë strukturën kryesore të gurit të ndërtesës gotike,  850 vjeçare, përfshirë dy kullat e saj, ndërsa maja dhe çatia iu shembën.

Zjarri u vu nën kontroll gati nëntë orë pasi nisi, të hënën pasdite.

Shkaku i tij mbetet ende i paqartë, por zyrtarët thanë se mund të lidhet me punimet e rinovimit.

Prokuroria e Parisit tha se aktualisht është duke e hetuar atë si një aksident.

Gjatë vizitës në vendin e ngjarjes, Macron tha se “më e keqja është shmangur”, pasi është ruajtur struktura kryesore e katedrales.

Ai u zotua se do të nisë një skemë ndërkombëtare për mbledhjen e fondeve për rindërtimin.

"Do ta rindërtojmë këtë katedrale të gjithë së bashku.Kjo është ajo që francezët presin, sepse kjo është ajo që meriton historia jonë", tha ai.

Miliarderi François-Henri Pinault, shef ekzekutiv i grupit Kering, i cili zotëron markat e modës Gucci dhe Yves Saint Laurent, premtoi tashmë 100 milionë euro për rindërtimin e katedrales Notre-Dame.

Zjarri nisi rreth orës 18:30 të hënën dhe shpejt arriti kulmin e katedrales, duke shkatërruar dritaret e qelqit dhe brendësinë e drurit, përpara se t’i rrëzonte majën.

Zjarrfikësit pastaj kaluan orë të tëra për të parandaluar kolapsin e njërës prej kullave ikonë të kambanës.

Ekipet e emergjencës arritën të shpëtonin vepra të vlefshme arti dhe gjëra fetare, që ruheshin brenda katedrales së ndërtuar në shekujt e 12-të dhe 13-të.

Macron tha se vlerëson lart "guximin e jashtëzakonshëm" të 500 zjarrfikësve të përfshirë në operacion.

Hera e fundit që katedralja pësoi dëme të mëdha ishte gjatë Revolucionit Francez. Ajo u mbijetoi dy luftërave botërore kryesisht e padëmtuar.

Katedralen e vizitojnë mbi 13 milionë turistë çdo vit.

Vitin e kaluar, Kisha Katolike në Francë bëri thirrje urgjente për fonde, për ta rinovuar atë.


/Ora News.tv/