Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka paralajmëruar goditjen e disa grupeve kriminale që operojnë në Durrës dhe Krujë.

Gjate një inpektimi në piken kufitare të portit të Durrësit nën shoqërinë e drejtorit të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dha mesazhin e intensifikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë mes policisë, prokurorisë dhe SHISH për goditjen e grupeve kriminale që operojnë në Durrës, rezultatet e të cilëve sipas Ministrit do të shihen shumë shpejt.

Xhafaj: Jemi të fokusuar tek lufta kundër grupeve kriminale. Nuk është e panjohur tashmë që në Durrës, Krujë dhe Fushë Krujë ka disa grupe kriminale të cilat paraqesin rrezikshmëri shoqërore, janë të  skeduara dhe po punohet nga ana e policisë në bashkëpunim dhe me prokurorinë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese për ti vënë shumë shpejt përpara përgjegjësisë ligjore. Besoj se në këtë aspekt shumë shpejt do të keni rast që të shihni rezultate konkrete.

Një vëmendje të veçantë tha Xhafaj po i kushtohet edhe monitorimit të kufirit me qëllim goditjen e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike.

Xhafaj: Në portin e Durrësit ka pasur disa shqetësime të kësaj natyre, kemi angazhuar më shumë burime njerëzore me bindjen dhe besimin që do të duhet ta frenojmë trafikun e drogës në Durrës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, tha se po bashkëpunohet ngushtë me homologët italianë dhe më gjerë për bllokimin e trafikimit të lëndëve narkotike.

Veliu: Ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë me kolegët tanë italianë dhe rastet kur janë zbuluar dhe kapur gomone dhe sasi të lëndëve narkotike i keni prezent dhe ju i keni pasqyruar në mediat tuaja.

Duke folur për ankesa të bizneseve në Durrës për radhë të gjatë për shkak të kontrolleve të kamioneve, Xhafaj sqaroi se tentativa e trafikut të lëndëve narkotike ka bërë që të ushtrohen kontrolle të imtësishme, duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve.


/Ora News.tv/