Lufta e vjetër Rama-Meta

Lufta e vjetër Rama-Meta

Refuzimi që Presidenti Meta i bëri kryeministrit për të emëruar Ministër të Jashtëm Gent Cakën pasoi me një debat virtual të ashpër dhe jo të denjë për dy përfaqësuesit më të lartë të shtetit.

Në reagimin e tij për qëndrimin e Presidentit, Kryeministri përveçse e quajti të turpshëm këtë vendim, e akuzoi Presidentin se po bënte lojë politike në favor të ish-partisë së tij, duke i përmendur bashkëshorten, Monika Kryemadhi.

Rama: "Mos e merrni seriozisht ju lutem, ose i ka vjedhur Doktorresha e Shkencave passwordin e faqes zyrtare ose pastaj eshte ne ate fazen kur i ben thirrje popullit per te marre armet, ngaqe s'di si te dale nga gropa qe i hap vetes! I çova provat e mekatit ndaj Gentit dhe vuan tani.

Mos prisni të merrem më me një pengmarrës të Kushtetutës në zyrën e Presidentit, i cili është katandisur në çizme rezervë e Doktorreshës së ShkencaveGjykata e re Kushtetuese do t'i japë fund kësaj maskarade, ndërsa vëmendja jonë do jetë e gjitha tek njerëzit e zero tek çizmet".

Ndërkohë Presidenti nga ana e tij akuzoi Kryeministrin se po kërcënon Presidentin siç ka kërcënuar edhe të tjerë përpara tij.

Meta: "Ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk ka fuqi në botë t'i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë".

Kjo gjuhë mes dy krerëve më të lartë të shtetit për politologun Afrim Krasniqi, është një gjuhë që nuk e nderon shtetin.

Krasniqi: Ka një fatkeqësi të madhe në gjithë tranzicionin tonë. Nëse ne i marrim raportet e politikanëve dominues, përfshirë edhe dy politikanët e sotëm, akuza që ata i kanë bërë njëri-tjetrit, sjellja dhe denigrimi që i kanë bërë njëri-tjetrit ka qenë jashtë çdo lloj etike dhe ka kaluar çdo limit njerëzor të komunikimit qoftë midis individëve, qoftë midis institucioneve. Në çdo shoqëri serioze, individë të tillë do të ishin penalizuar ose me votë, ose me rregulla etike, ose me rregulla institucionale.

Krasniqi shprehet se kjo përplasje është llogaritur mirë politikisht për kostot e saj nga të dy aktorët politikë dhe ata kanë qenë të vetëdijshëm dhe e kanë kërkuar këtë konflikt.

EMISIONET