Siç duket, kurioz se sa paguhen njerëzit nuk janë vetëm shqiptarët, por edhe italianët.

Kështu "Gazzetta dello Sport" ka bërë publike të gjithë pagat e futbollistëve që luajnë në kampionatin italian, natyrisht edhe lojtarët me origjinë shqiptare që përfaqësojnë Shqipërinë dhe Kosovën në arenën ndërkombëtare. Juventus kryeson listën e skuadrave të elitës së futbollit italian që shpenzon më shumë për pagat.

Bardhezinjtë shpenzojnë plot 294 milionë euro në sezon. Ndërkohë Interi është i dyti me 139 milionë euro. Podi plotësohet nga Roma dhe Milani, që nxjerrin nga arkat plot 115 milionë euro vetëm për pagat. Futbollisti më i paguar në Seria A është Cristiano Ronaldo, i cili nga kontrata me Juventusin përfiton 31 milionë euro.

Për sa i përket lojtarëve shqiptarë që aktivizohen në Seria A, ai që merr më shumë është kapiteni i kombëtares, Elseid Hysaj. Lojtari i Napolit përfiton plot 1.6 milionë euro në sezon. Pas tij renditet futbollisti i Lazios dhe përfaqësueses së Kosovës, Valon Berisha.

Ish-sulmuesi i Salzburg paguhet me 300 mijë euro më pak se Hysaj. Ndërkohë, Thomas Strakosha paguhet 1.2 milionë euro në sezon. Etrit Berisha është lojtari i dytë më i paguar te SPAL, me 1 milion euro.

Ndërkaq, mbrojtësi i Atalantës, Berat Djimsiti përfiton 400 mijë euro në sezon. 300 mijë euro në sezon fiton Amir Rrahmani te Verona.

/Ora News.tv/