Zgjerohet mbulimi me barna të kushtueshme për sëmundjet tumorale, Hepatitin C dhe sëmundje të tjera të rënda, që kishin barrë të madhe financiare për qytetarët. Në një komunikim me median, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se me hyrjen në fuqi të Listës së re të Barnave të Rimbursueshme, janë zgjeruar kategoritë përfituese, duke ulur barrën e pagesave nga xhepi për qytetarët.

14 medikamente të reja dhe të kushtueshme janë shtuar në listën e barnave të rimbursueshme për vitin 2019.

Në listë, janë vendosur më tepër barna që përdoren për trajtimin e sëmundjeve malinje të gjakut apo hepatitit C, që kanë qenë gjithnjë problem edhe për shkak të çmimeve të larta.

Ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se me hyrjen në fuqi të Listës së re të Barnave të Rimbursueshme, janë zgjeruar kategoritë përfituese.

Manastirliu: Do të kemi sipas 3 fashave më të mëdha një mbulim universal në vlerë financiare për sëmundje tumorale te dedikuara më shumë se 19 mln dollarë. Për sëmundjet kardiovaskulare 24 mln dollarë dhe për diabetin 18 mln dollarë.

Manastirliu tha se për herë të parë në këtë listë barnat vijnë me marrëveshje të posaçme, duke ulur çmimin e barit me proces negocimi me kompanitë më të mëdha multinacionale

Manastirliu: Kompanitë që punojnë për të përfshirë sa më shumë terapi për të përfshirë gjithashtu brenda buxheteve edhe alternativa të reja mjekësore, në sajë të këtyre marrëveshjeve që ne kemi realizuar.

Ministrja Manastriliu tha se është rritur me 30 milion dollarë financimin e listës së barnave të rimbursueshme, duke siguruar mbi 1150 alternativa mjekimi falas nga të cilat, përfitojnë rreth 499 mijë qytetarë.

/Ora News.tv/