Megjithë gëzimin për lirimin e Deniz Yücel nuk duhet të harrojmë, se ende më shumë se 100 gazetarë ndodhen në burgjet turke, mendon kryeredaktorja e Deutsche Welle-s, Ines Pohl.

E njoh Denizin prej shumë vitesh. Gati 6 vjet kam punuar bashkë me të. Jemi grindur për kryetitujt më të mirë të artikujve. Nuk ka qenë gjithmonë e këndshme, por shumë intensive. Kam mësuar shumë nga përkushtimi i tij. Deniz është një gazetar origjinal, i shkëlyer dhe i pa frikësuar. Ai mund të përshkruajë në mënyrë të mrekullueshme, në stilin e tij gati poetik dhe të ndjeshëm. Por ai di të bëjë edhe zhurmë, di se si mund të tërheqë vëmendjen e ta mbajë atë.

Fuqia e inskenimit publik

Një aftësi që e kanë edhe miqtë e tij. Ata nuk u ndalën së rëni tambureve, organizuan koncerte solidariteti, hashtagu #freeDeniz ishte kudo prezent. Ishte fuqia e inskenimit publik që nuk ia hoqi përgjegjësinë politikës. Madje edhe natën e lirimit u negociua në nivel të lartë. Detajet e marrëveshjes nuk dihen. Por paas një viti e dy ditësh, Deniz u lirua. Nuk mund t'i mbaja lotët. Ky njeri me shpirt të lirë kaq ditë e netë pas hekurave!

Jo happy end

Kur u publikuan fotot e para, me Denizin që përqafon Dilekun e dashur, shumë vetë u përlotën. Deniz e ka të shkruar dhimbjen në fytyrë. Si dikush në rrezik të mbytet ai u mbajt pas saj, martesa u bë në kohën e burgimit. Një happy end prekës? Jo vërtet. Sepse megjithë gëzimin për lirimin e tij, nuk duhet të harrojmë: Deniz është njëri nga më shumë se 100 gazetarët e burgosur në Turqi. Kush mendon se me lirimin e tij filloi një erë e re e çtensionimit, mori dje një mësim tjetër: Sapo ishte bërë publik lirimi i tij, kur gjykatësit e Erdoganit dënuan me burgim të përjetshëm gazetarë të tjerë turq. Deniz akoma nuk kishte dalë nga burgu.

Lufta nuk duhet të ndalet

Fakti që nuk bëhet fjalë për qytetarë gjermanë luan rol të rëndësishëm për mundësitë diplomatike të qeverisë gjermane. Por a nuk duhet të jetë shoqëria civile  në radhë të parë? Ishte prekëse, e habitshme se sa shumë vetë u angazhuan për lirimin e Denizit. Por me lirimin e tij lufta nuk ka mbaruar. Në të gjithë botën gjenden në burgje më shumë 300 gazetare e gazetarë, torturohen pjesërisht, sepse janë angazhuar për lirinë e shtypit. Megjithë gëzimin e lehtësimin vlen ende edhe sot: Për sa kohë që një gazetar ndodhet pas hekurave për shkak të punës së tij kritike, ne nuk duhet të ndalim të kërkojmë nga politika të angazhohet për lirimin e tyre. Për një gjë jam e sigurtë: Kjo është ajo që dëshiron edhe Deniz tani!

/DW/


/Ora News.tv/