Brenda afatit kushtetues, presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov do të marrë një vendim për dekretimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve. Janë mediat vendase ato që pohojnë këtë fakt, pavarësisht ngurrimit të presidencës për të dhënë detaje të mëtejshme. Në anën tjetër, qytetarët kanë mirëpritur miratimin e ligjit nga Kuvendi, por shohin pak hapësira për zbatimin konkret.

Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov do të dalë me një vendim lidhur me ligjin për përdorimin e gjuhëve, brenda afatit kohor që parashikon Kushtetuta.

Mediat vendase pohojnë këtë fakt, pavarësisht ngurrimit nga presidenca për të dhënë më  shumë detaje lidhur me këtë çështje.

Sidoqoftë, presidenti Ivanov ka shfaqur hapur kundërshtinë e tij sa i përket dekretimit.

Gjatë fjalimit të fundvitit të mbajtur në Kuvend, Ivanov e cilësoi ligjin si cënues të gjuhës maqedonase e mbarë unitetit të vendit.

Presidenti u shpreh se ligji vendos në pikëpyetje interesat e përhershme të popullit maqedonas.

Këta të fundit, ndonëse e kanë mirëpritur vendimin, e shohin me skepticizëm zbatimin konkret të tij.

Të pyetur nga mediat vendase, qytetarët pohojnë se janë të zhgënjyer me shtetin, që përgjatë viteve nuk ka mbajtur premtimet apo nuk ka përmbushur asnjë ligj për të drejtat e popullsisë shqiptare.

Sipas Kushtetutës, Presidenti ka 10 ditë kohë për të dekretuar ligjin e miratuar me 69 vota në Kuvend vetëm dy ditë më parë.

Në rast të mosrespektimit të këtij afati dhe nëse presidenti Ivanov nuk i përgjigjet pozitivisht dekretimit, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi deklaroi se ekzistojnë mekanizma të tjera për miratimin dhe hyrjen në fuqi të ligjit që avancon përdorimin e shqipes në institucionet zyrtare.

/Ora News.tv/