Edhe pse kanë kaluar 5 muaj nga miratimi i projektligjit, i cili parashikon heqjen investimeve me ofertë të pakërkuar në infrastrukturë ky draft ka mbetur peng në parlament.

Premtimi për përjashtimin e tyre u bë në fund të vitit të shkuar, por duket se me ndryshimin e ministrit të infrastrukturës gjithçka ka mbetur vetëm te fjalët. Në këtë mënyrë ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku do të ketë mundësi që të realizojë të tjera projekte PPP me oferta të pakërkura duke sjellë mungesë të plotë konkurrencës.

Një ndër projektet më të debatuara kohët e fundit është dhënia me koncesion PPP e rrugës Tiranë-Durrës, e cila duket se do të ketë të njëjtin fat si edhe projektet e tjera duke i paracaktuar fituesin.

Ndryshimi në këtë ligj ishte një kërkesë e vjetër e Fondit monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, por maxhoranca duket se nuk i ka kushtuar rëndësinë e duhur. Hyrja në fuqi i këtij projektligji parashikohej të bëhej në 1 korrik

Braçe në 16 korrik 2018: Për mua ndryshimet në ligjin për koncesionet e PPP duhet  të nisin dhe të mbarojnë me eliminimin e formës së gjetur të PPP në ligjin që u trashëgua prej jush propozim i pakërkuar.

Por në kalendarin e Kuvendit nuk parashikohen më mbledhje të tjera deri në këtë datë duke e lënë peng këtë ndryshim të rëndësishëm.

FMN dhe BB e kërkuan me forcë heqjen e ofertave të pakërkuara duke i cilësuar një rrezik për stabilitetin financiar në Shqipëri.

Drafti është futur në kalendarin e parlamentit për tu miratuar dy herë rresht  gjatë muajit mars, por është tërhequr përsëri në minutat e fundit pa asnjë shpjegim.

/Ora News.tv/