Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un,  lavdëroi Korenë e Jugut për mikpritjen “mbresëlënëse” të delegacionit të Veriut në Lojërat Olimpike Dimërore.

Komentet vijnë pasi delegacioni zyrtar i Veriut, i udhëhequr nga motra e Kim, Kim Yo-jong, ka mbaruar vizitën historike dhe është kthyer në Phenjan.

"Pas raportit të delegacionit mbi vizitën, Kim Jong-un shprehu kënaqësi mbi të," raportoi media shtetërore KCNA.

Ka qenë ky delegacioni më i lartë koreano - verior që ka vizituar Jugun që nga Lufta e Koresë në vitet 1950.

Dy Koretë nuk kanë nënshkruar kurrë traktat paqeje për të përfunduar zyrtarisht luftën dhe janë në një gjendje konstante të mosbesimit reciprok.

Pjesëmarrja e Koresë së Veriut në Lojërat Olimpike është parë si një ngrohje e marrëdhënieve midis dy Koreve, ndonëse ka pasur gjithashtu shqetësime se ajo i ka mundësuar Koresë së Veriut të blejë kohë për zhvillimin e programit të saj bërthamor.

/Ora News.tv/