Liderët e bllokut konservator të kancelares Angela Merkel kanë rënë dakord në formimin e një koalicioni të madh me Social-Demokratët.

 Lideri i Unionit Kristian-Socialist Horst Seehofer, partisë simotër të Kristian-Demokratëve, deklaroi se aleanca me Social-Demokratët është zgjidhja e duhur për Gjermaninë. Sipas Seehofer, ky është një opsion më i mirë se koalicioni me Demokratët e Lirë dhe të Gjelbrit, perspektiva e zgjedhjeve të reja apo krijimi i një qeverie pakice.

Gjermania është zhytur në një ngërç politik që pas dështimit të negociatave mes bllokut të drejtuar nga Merkel, Demokratëve të Lirë dhe të Gjelbërve. Nën presion të vazhdueshëm për të ruajtur stabilitetin e vendit dhe për të shmangur zgjedhje të reja, Partia Social-Demokrate e udhëhequr nga Martin Schulz pranoi të negocionte me Merkel, duke ngritur perspektivën e një koalicioni të madh.

Ideja e një bashkëqeverisjeje mes konservatorëve dhe Social-Demokratëve mbështetet edhe nga 52% e popullit gjerman, siç tregon edhe një sondazh i institutit Emnid. Edhe disa liderë europianë kanë theksuar rëndësinë e vendosjes së një qeverie të qëndrueshme në Gjermani sa më shpejt, që Bashkimi Europian të mund të diskutojë të ardhmen dhe reformat.

/Ora News.tv/