Levante "cunam" ndaj Barcelonës, Boateng e Coutinho "zihen" për topin e ndeshjes

Barcelona ka pësuar humbjen e parë pas 43 ndeshjeve dhe e para në La Liga për sezonin 2017-2018.

Katalanasit ishin të pafuqishëm ndaj Levantes që me dyshen Boateng-Bardhi fituan një takim të çmendur me shifrat 5-4.

Serinë e golave e hapi sulmuesi ganez, Boateng pas 9 minutash lojë, ndërsa ishte po ai që dyfishoi shifrat përpara se Coutinho që ngushtonte distancën.

Pas pushimit, ishte radha e mesfushorit të talentuar, Enis Bardhi që të gjente rrjetën, ndërsa 3 minuta më vonë Boateng plotësoi hat-trick personal dhe t'i dërgonte shifrat në 4-1.

Por spektakli nuk kishte mbaruar këtu, me Bardhi që shënoi dhe golin e 5-të për Levantes, rrjetë që "zgjoi" skuadrën e Ernesto Valverde. Brënda 5 minutave lojë, Coutinho shënoi dy herë për ta dërguar në 5-3 rezultatin, ndërsa Luis Suarez me penallti shënoi dhe golin e 9-të të ndeshjes për rezultatin 5-4.

Kjo ishte humbja e parë për Barcelonën në kampionat, ndërkohë që kjo ndeshja do të futet në histori dhe për takimin më me shumë gola në La Liga në këtë sezon.

EMISIONET