Partizani barazoi 0-0 në takimin e vajtjes së raundit të parë të UEFA Champions League ndaj Qarabag.

Pavarësisht rasteve, të kuqtë nuk arritën të gjenin fundin e rrjetës, duke shtyrë kualifikimin për në raundin tjetër. Një paraqitje që është vlerësuar nga trajneri i kryeqytetasve, Franco Lerda, i cili pas takimit foli për mediat duke deklaruar:

A jeni i kënaqur me këtë rezultat, në këtë debutim zyrtar?

Jam shumë i kënaqur, pasi futbollistët e interpretuan mjaft mirë ndeshjen, përballë një kundërshtari mjaft të fortë në nivelin individual. Me pak më shumë fat, mund të kishim marrë edhe fitoren, por më pëlqeu shumë ndeshja.

A ishte një rezultat i drejtë, për atë që dhanë skuadrat?

Ata goditën një traversë nga një pozicion jashtë loje, ndërsa ne goditëm një traversë gjithashtu. Kundërshtari bëri më mirë në qarkullimin e topit, por rastet më të mira i patëm ne.

Jeni i kënaqur me lojtarët e rinj?

Po. Si Broja, ashtu edhe Brown, arritën të futen mirë në ndeshje dhe të realizojnë detyrat që u kisha ngarkuar.

A besoni te kualifikimi në Baku?

Atje do të jetë një ndeshje e hapur, pasi rezultati i sotëm e bën të tillë. Sigurisht që do të jetë shumë e vështirë, por ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën dhe të shpresojmë t’ia dalim.

A ka nevojë skuadra të kolaudohet më shumë në fazën sulmuese?

Patjetër që kemi ende punë për të bërë, pasi kemi mundësi për të bërë më mirë, por sot kishim një kundërshtar që qarkullon mirë topin dhe kjo na e vështirësonte disi punën në ndërtimin e aksioneve."-përfundoi Lerda.

/Ora News.tv/