Le Figaro: Franca mbështet korrigjimin e kufijve, pritet që Macron ta bindë Merkelin

Le Figaro: Franca mbështet korrigjimin e kufijve, pritet që Macron ta

E përditshmja prestigjioze franceze “Le Figaro” ia ka kushtuar një tekst të veçantë dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka cituar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, shefin e stafit të tij, Bekim Çollakun, si dhe disa analistë francezë.

Sipas “Le Figaro”, Thaçi dhe Vuçiç nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin, por kanë vendosur, që në emër të paqes dhe stabilitetit, të punojnë së bashku drejt pajtimit të popujve të tyre.

“Nëse gjithçka shkon sipas planeve, Presidenti i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë do të jenë në gjendje të konsolidojnë pajtimin e tyre deri në mes të nëntorit në Paris, në Forumin për Paqe, që do të organizohet nga Elysee”, shkruan gazeta franceze.

Njëzet vjet pas luftës, serbët në veri të lumit Ibër – lumi që ndan Mitrovicën në dy pjesë– ende nuk i njohin institucionet e Kosovës, pasi e konsiderojnë Beogradin si kryeqytetin e tyre. I njëjti tension mund të gjendet në jug të lumit.

“Status quo-ja është e keqe për të gjithë”, pranon Bekim Çollaku, shefi i stafit të Hashim Thaçit për mediumin francez.

Sipas të përditshmes franceze, të dy presidentët megjithatë kanë një interes të përbashkët: të ecin më shpejtë, krah për krah, drejt integrimit europian.

Duke folur për qëndrimin amerikan, gazeta shkruan se John Bolton, këshilltari i sigurisë kombëtare, deklaroi në fund të gushtit se Uashingtoni nuk do të kundërshtonte rregullimet territoriale.

“Franca është gjithashtu në favor të këtyre rishikimeve, siç është edhe Austria. Federica Mogherini është e gatshme të mbështesë atë që Presidenti i Kosovës paraqet thjesht si një korrigjim territorial”, shkruan gazeta “Le Figaro”.

Sipas një diplomati francez, ekziston një dritare e mundësisë përpara zgjedhjeve europiane, por duhet të veprojmë shpejt.

Në të vërtetë, zgjedhjet mund të rezultojnë që Komisioni të bëhet edhe më nacionalist dhe më i pavullnetshëm për zgjerimin e mëtejshëm.

“Paqja mes Kosovës dhe Serbisë është e pashmangshme”, siguroi Hashim Thaçi për Le Figaro në qershorin e kaluar.

Në Perëndim, Gjermania ka mbajtur kundërshtimin e saj ndaj çdo forme të ndryshimit të kufijve, duke patur parasysh se kjo do të hapte “Kutinë e Pandorës” për kërkesat e minoriteteve brenda Ballkanit: serbët e Bosnjës, hungarezët e Vojvodinës, shqiptarët e Maqedonisë. /Ekspress/




EMISIONET