Ndërsa mbetet edhe rreth një javë nga seanca për shpërndarjen e parlamentit të Kosovës, partitë e opozitës po bashkërendojnë aksionin politik. Kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj kërkon një mandat të ri qeverisës. Ndërkohë faktori ndërkombëtar kërkon që të mos largohet vëmendja nga dialogu me Serbinë.

Partitë opozitare "Lidhja Demokratike e Kosovës" dhe "Lëvizja Vetëvendosja" po japin shenjat e një koalicioni të mundshëm qeverisës pas zgjedhjeve të vjeshtës.

Në përfundim të takimit privat mes liderëve të dy grupeve, Albin Kurti informoi të martën se ai dhe homologu i tij, Isa Mustafa, kanë lënë pas ndasitë e vjetra dhe janë dakordësuar për situatën politiko-ekonomike në vend, për daljen nga kriza aktuale dhe për votimin vendimtar të javës së ardhshme.

Kurti: "Me 22 gusht dy grupet tona parlamentare do të jenë në përbërje të plotë për ta shpërndarë Kuvendin e për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja demokratike. Konstatuam që tashmë shpresa po rikthehet te qytetarët, për një të ardhme me drejtësi e përparim."

Ndërkaq, edhe kryeministri ende në detyrë, Ramush Haradinaj, nuk e fsheh dëshirën për një mandat të ri.

Nëpërmjet rrjeteve social ai po ashtu dënoi kompromiset politike, një sulm tërthorazi për dy grupet më të mëdha opozitare.

Hajradinaj: "Nënshtrimi për interesa personale dhe grupore, kompromiset dhe politikat e paqëndrueshme, që bien ndesh me interesat vitale, nacionale dhe shtetërore, sjellin pasoja tragjike për vendin dhe të ardhmen tonë!"

Ndërkohë që zgjedhjet e parakohshme dominojnë axhendën e palëve politike në Prishtinë, për kryeministrin e ardshëm mbetet sfidë adresimi i statukuosë me Serbinë.

Në një komunikate të përbashkët, pesë diplomacitë e SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar apeluan të martën Prishtinën dhe Beogradin të heqin dorë nga pengesat e dyanshme si tarifat dhe fushata kundër njohjeve, dhe të angazhohen sa më parë në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Europian.

/Ora News.tv/