LDK-ja në Qeveri, plan i Hashim Thaçit

LDK-ja në Qeveri, plan i Hashim Thaçit

Konfigurimi i Qeverisë është bërë pjesë e deklaratave të liderëve. Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, tha se nëse nuk shkohet në zgjedhje, duhet të bëhet rikonfigurimi total i Qeverisë. Kryeministri Ramush Haradinaj është përballur me një ultimatum nga amerikanët, ndërkohë që edhe vetë ka nisur të flasë për mundësinë e rrëzimit të tij. Analistët politikë po presin që Lidhja Demokratike të bëhet bashkë me PDK-në e ta rrëzojnë Haradinajn, ndërsa Vjosa Osmani thotë se LDK-ja nuk bëhet pjesë e Qeverisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë ultimatum kryeministrit Ramush Haradinaj. Ky e konfirmoi dje se klima e krijuar nga vendosja e taksës ndaj produkteve të Serbisë është arsyeja pse ai s’po mund të udhëtojë në Uashington javëve të vijim.

Pikërisht për këtë vetë Haradinaj ka filluar të flasë për mundësinë e rënies së Qeverisë dhe humbjes së postit të kryeministrit.

Por a mund të ndodhë kjo?

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, para dy ditësh tha se nëse nuk shkohet në zgjedhje, atëherë partia e tij kërkon një riformatim komplet të qeverisë dhe institucioneve.

"Nëse nuk shkohet në zgjedhje duhet të mendohet në rikonfigurim total të qeverisjes ose të institucioneve të tanishme të vendit në mënyrë që të sigurohet përfaqësimi i domosdoshëm i cili do të mundësonte ratifikimin e marrëveshjeve”, ka thënë Mustafa.

Megjithatë, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, thotë se kryetari i partisë së tyre nuk ka nënkuptuar përfshirjen në qeverinë aktuale.

“Në fakt, kryetari Mustafa e ka bërë të qartë dje që assesi nuk bëhemi pjesë e Qeverisë aktuale”, ka thënë deputetja e LDK-së të martën për Gazetën Express.

Analisti Astrit Gashi përfshin presidentin Thaçi në krejt zhvillimet që ai pret të ndodhin. Ai thotë se presidenti po ia punon pas shpinës kryeministrit Haradinaj dhe po josh LDK-në që t’i bashkohet PDK-së.

Në këtë mënyrë, sipas Gashit, Thaçi do ta rrëzonte Haradinajn, për të krijuar një formacion tashmë të njohur, atë mes LDK-së dhe PDK-së.

“Presidenti Hashim Thaçi tashmë ka një kohë që kërcënon me ndryshimin e Qeverisë. Ideja e tij është jo zgjedhjet por ndryshimi i Qeverise përmes largimi të kryeministrit dhe futjes së LDK-së në Qeveri. Sipas kësaj ideje me të cilën presidenti po e josh qe një kohë LDK-në, kësaj do t’i takonte kryeministri”, ka thënë analisti për Gazetën Express.

Gashi, duke u thirrur në burime brenda LDK-së, thotë se Thaçi nuk e do kryeministër Isa Mustafën, por nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Hazirin, me të cilin tradicionalisht është pajtuar më mirë.

“Sipas preferencave të Thaçit, nuk duhej të ishte Isa Mustafa, por dikush tjetër. Sipas burimeve në LDK, për këtë post ishte përmendur si mundësi Lutfi Haziri”.

Pse do t’i konvenonin presidentit Thaçi të ndodhnin këto kombinime? Analisti Gashi thotë se të parit të shtetit i duhet LDK-ja, që ai të mundë të arrijë marrëveshje me Serbinë, sipas dëshirave të tij.

“Të gjitha matematikat qe bëhen sot për ndërrim qeverie, pa zgjedhje, janë aty për të vetmin qellim: krijimin e konsensusit për Marrëveshjen me Serbinë sipas planit e idesë së Presidentit. Ajo çka dihet sot është se këtë ide nga opozita po e refuzon Vetëvendosje, ndërsa refuzimi i deritanishëm i LDK-së për hyrje në Qeveri me PDK e PAN është gjithmonë një bast shume i pasigurt. Aq me i pasigurt bëhet pas deklaratave te Isa Mustafës për taksen”, është shprehur Gashi,

“Hyrja e LDK-së në qeveri pa zgjedhje rrezikon çarje të re të partisë. Ndërkohë Thaçi nuk do zgjedhje sepse ato ja prishin oraret e tij”, ka vazhduar ai.

Analisti Imer Mushkolaj përmend se PDK-së ka treguar gjithmonë se di të tradhtojë partnerin qeverisës, dhe kjo, sipas tij, e pret edhe Ramush Haradinajn. 

“PDK-ja vazhdimisht ka treguar se është gjendje të ndërmarrë hapa të tillë kur e sheh se është në favorin e saj ose për t’i çuar para agjendat e veta. Na e kemi një situatë të ngjashme çfarë e kemi pasur jo vetëm në qeverinë Mustafa, por edhe përpara kur PDK-ja në një moment të caktuar nuk ka zgjedhur formë as mjete, qoftë për të shkuar në zgjedhje ose për mundësinë për të konfiguruar qeverinë”.

Mushkolaj për Gazetën Express thotë se nëse Haradinaj nuk e heq taksën, atëherë ky qëndrim do t’i kthehet me rritje të përkrahjes, kurdo që shkohet në zgjedhje.

“Haradinaj po insiston se taksa nuk hiqet. Nëse PDK vendos për ta hequr taksën, ai llogarit se do të ketë në zgjedhje, kurdo që mbahen ato, një mbështetje më të madhe se sa që e ka zakonisht. Haradinaj po e sheh si mundësi për të fituar elektoralisht”, ka thënë analisti.

Ndonëse, LDK-ja thotë se nuk bëhet pjesë e Qeverisë aktuale, Mushkolaj thotë se bashkëngjitja ose jo e partisë së Mustafës në Qeveri varet krejt prej asaj se çka do t’i jepej.

“LDK-ja mund t’i bashkohet Qeverisë, gjithmonë nëse i jepet posti i kryeministrit. PDK-ja nëse ia ka dhënë Ramush Haradinajt, pse të mos ia japë LDK-së. Mjafton që LDK-ja të thotë po dhe puna kryhet. Varësisht prej ofertës, unë nuk besoj që LDK-ja i thotë jo përfshirjes në qeverinë e tanishme, gjithmonë me arsyetimin se ua kërkuan ndërkombëtarët dhe në të mirë të vendit. Nuk është hera e parë që LDK-ja na ka thënë se nuk hyn në koalicion me PDK-në”.

Sipas Mushkolajt, gjithçka varet prej kohës, se a do të ndodhë kjo shpejt, apo do të zgjasë.

Ndonëse dyshon se qëndrimi i kryeministrit Haradinaj për mosheqjen e taksës, sipas Mushkolajt, tarifa e vënë është karta më e fortë me të cilin mund të luajë Haradinaj.

“Nëse heqja e taksës është kusht për të vazhduar dialogun, e që do të ishte përfundimi ndarja e vendit. Atëherë, le ta mbajë taksën dhe të shkohet në zgjedhje. Le të shihet kush do ta marrë përgjegjësinë se kush do të heqë taksën”, ka përfunduar Mushkolaj. /Express/

EMISIONET