Lamtumirë profesor, përcillet me homazhe akademiku Alfred Uçi

Lamtumirë profesor, përcillet me homazhe akademiku Alfred Uçi

Bota akademike është në zi. Profesor Doktor Alfred Uçi është përcjellë me homazhe për në banesën e fundit. Miq, kolegë dhe krerët e shtetit e politikës u përulën para trupit të akademikut për të nderuar jetën dhe veprën e tij.

Alfred Uçi ndaloi për herë të fundit në Akademinë e Shkencave.

Kolegë, miq e familjarë, por edhe krerët e shtetit e politikës u përulën për ti dhënë lamtumirën filozofit që u nda nga jeta në moshën 89 vjeçare.

Mes tyre kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, shprehu ngushëllimet përmes një mesazhi.

Nishani: Me largimin e Tij nga kjo jetë, filozofisë, letërsisë, kulturës dhe akademizmit shqiptar do t'i mungojë pamasë ky personalitet i rrallë dhe aq i vyer, i cili la gjurmët e veta të pashlyeshme në disa fusha të dijeve albanologjike duke mundësuar njëkohësisht edhe zhvillimin e mëtejshëm të mendimit shkencor filozofik shqiptar. I përjetshëm qoftë kujtimi i Profesor Uçit dhe shpirti i tij u prehtë në paqe!"

Akademiku Alfred Uçi, profesor i Filozofisë dhe Estetikës ka mbajtur ndër vite disa funksione të larta shtetërore, mes tyre edhe Ministër i Kulturës.

Uçi ka botuar disa monografi dhe studime në fushën e estetikës dhe është vlerësuar tre herë me çmimin e Republikës të shkallës së parë.

 

 

EMISIONET