Prodhuesi italian i automjeteve sportive “Lamborghini” prezantoi dje SUV-in e tij, duke u pozicionuar ashtu si homologët e tij të luksit, në këtë sektor që kishte tentuar të hynte vetëm një herë në fund të viteve 1980.

Ky model urban 4×4 i quajtur “Urus”, që pretendon të jetë një “Super SUV”, u prezantua gjatë një spektakli të madh në uzinën historike në Sant’Agata Bolognese, pranë Bolonjës (veri).

“Ndërtimi i këtij SUV-i, që do të shitet 171 500 euro pa taksat në Evropë, ishte një sfidë në të gjitha nivelet”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i Lamborginit, Stefano Domenicali, duke theksuar se falë këtij modeli kompania pritet të dyfishojë volumin e prodhimit në vitin 2019.

“Lamborghini” kishte shitur 3 457 super vetura vitin e kaluar.

“Urus, ka një arkitekturë gjashtëkëndore, mundëson lëvizjen në të gjitha terrenet. Në rrugë, në pistë, në akull por edhe në dunat e rërës, falë amortizimeve të tij dhe lartësisë së ndryshueshme”, shpjegon Maurizio Reggiani, drejtor i kërkimit dhe zhvillimit.

“I pajisur me goma Pirelli të prodhuara enkas për këtë model dhe me një motor V8 biturbo, ai mund të arrijë 0 në 100 kilometra në 3,6 sekonda si dhe arrin një shpejtësi maksimale prej 305 kilometrash në orë, duke u bërë SUV-i më i shpejtë në treg”, thekson ai.

“Lamborghini” ka investuar disa qindra milionë euro në Sant’Agata Bolognese për prodhimin e këtij SUV-i, duke dyfishuar kapacitetin e prodhimit të uzinës dhe duke punësuar rreth 500 persona shtesë.

“Lamborghini është marka e fundit sportive që hyn në këtë sektor, që ka ngjallur një kërkesë të madhe tek më të pasurit”, shpjegon Carlo Alberto Carnevale Maffe, profesor i strategjisë në Universitetin Bocconi në Milano, duke kujtuar se “Porche” me modelin e tij “Cayenne” në vitin 2002 ishte i pari që theu këtë tabu ndërsa “Alfa Romeo” hyri këtë vit.

“Shitjet e SUV-ëve dhe fuoristradave është rritur me 233 për qind në 1- vite, duke arritur në 26,47 milionë njësi në vitin 2016 dhe pritet të vazhdojë të rritet me 30 për qind deri në vitin 2020”, sipas institutit “IHS Markit”./ATA/

/Ora News.tv/