“Nuk është koha për të krijuar krizë në ekipin kombëtar”, -thotë Altin Lala nëf jalët e para të bisedës telefonike me “Telesport”. Ish-kapiteni i kuqezinjve, që tashmë i është përkushtuar botës së biznesit dhe menaxhimit të lojtarëve, pranon të bëjë një analizë të zgjeruar për ecurinë e ekipit kombëtar dhe kryesisht për debutimin në Ligën e Kombeve, ku në dy sfidat e para u morën tri pikë. Në momentin e parë të bisedës, sigurisht që vëmendjen kryesore e tërheqin dy ndeshjet e fundit, ndaj Izraelit dhe Skocisë. Altin Lala është realist dhe thotë se ka parë një skuadër jo të stabilizuar, ku sipas tij, me pak më shumë fat, Izraeli mund të na kishte mundur.

Gjithsesi, ish-mesfushori kuqezi tregon edhe arsyet e mungesës së stabilitetit. Kryesore janë mungesa e aktivizimit të lojtarëve në klubet përkatëse dhe tranzicioni i brezave. Lala nuk fokusohet shumë te “senatorët”, por gjatë intervistës iu kushton analizë të zgjeruar lojtarëve të rinj, atyre që nesër do të mbajnë peshën kryesore në ekipin kombëtar. Kritikat ndaj trajnerit thotë se nuk janë të nevojshme, pasi nuk mund t`i faturohet atij dështimi për gjithçka, ndërkohë që shumë futbollistë nuk aktivizohen me ekipet ku luajnë.

Altin Lala thotë se vendin e titullarit në kombëtare e meritojnë ata lojtarë që aktivizohen rregullisht, pasi sipas tij, nuk mund të vish nga bankina dhe të japësh rendiment. Në intervistën e tij ekskluzive për “Telesport”, ish-mesfushori kuqezi, që ka luajtur mbi 79 ndeshje me fanellën e kombëtares, flet edhe për transferimin e Abazajt dhe Gurit në Belgjikë. Vlerëson shumë paraqitjen e Sindrit Gurit, duke e cilësuar një model për të gjithë lojtarët në Shqipëri, ndërsa për Abazajn sugjeron që të punojë më shumë, për të gjetur vendin e titullarit. Në fund, Lala komenton edhe Superligën Shqiptare, duke e vlerësuar pozitivisht trendin e zhvillimit, por thekson se problem mbetet ende mentaliteti i njerëzve të futbollit në Shqipëri.

Altin, si të është dukur kombëtarja në dy ndeshjet e fundit?

Nuk më është dukur shumë e stabilizuar si skuadër. Fitorja me Izraelin mbulon gjithçka në njëfarë mënyre, por edhe atë ndeshje mund ta kishim humbur. Izraeli krijoi disa raste, ndaj mund edhe ta humbnim atë lojë. Është një tranzicion, disa lojtarë kanë ikur, kanë ardhur lojtarë të rinj dhe duan kohë të ambientohen. Kështu është kombëtarja, me ndërrimin e brezave.

Këtu doja të ndalesha pak, si e shikon këtë tranzicion?

Kjo është si medalja, që i ka të dyja anët. Mund të jetë hap para, ose hap mbrapa. Kombëtarja varet nga kualiteti që kanë lojtarët. Mbi të gjitha, personalisht e shoh edhe në këtë aspekt: në qoftë se lojtarët nuk aktivizohen vazhdimisht me klubet e tyre, këtë produkt do të kesh edhe me fanellën kuqezi. Eshtë shumë e vështirë të vish nga bankina dhe të kesh rendiment në ndeshjet e kombëtares. Ky është dhe një nga problemet, pasi shumica e lojtarëve nuk aktivizohen vazhdimisht me klubet e tyre.

A mund ta gjykojmë trajnerin në këtë situatë, pra a mund t`ia faturojmë atij përgjegjësitë?

Nuk do të ishte korrekte që t`ia ngarkojmë të gjitha përgjegjësitë trajnerit. Gjendja e skuadrës është e tillë dhe duhet ta pranosh realitetin. Nëse do t`ia ngarkosh fajin trajnerit kot, këtë mund ta bësh gjithmonë, se në fund fare trajneri ka postin e drejtuesit dhe mban kostot e veta. Në këtë rast, unë nuk e shoh që problemi është i trajnerit. Është çështja e grupit: disa lojtarë janë të dëmtuar, disa nuk kanë luajtur. Pra këto janë të gjitha problematika, që ka për momentin kombëtarja.

/Ora News.tv/