Të kënduarit në shoqërimin e Gusle" (instrumenti që në shqip quhet lahuta)  është përfshirë në  Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore jo materiale të Njerëzimit të Serbisë.

Kjo sepse, në sesionin e 13-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë jo materiale u bë regjistrimi i nominimit "Të kënduarit në shoqërimin e Gusle" (instrumenti që në shqip quhet lahuta) prezantuar nga Serbia, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore jo materiale të Njerëzimit.

Lahuta e Ballkanit jo e Serbisë

Ministria e Kulturës përmes një njoftimi për shtyp la të kuptohet se kjo është kundërshtuar nga përfaqësuesit shqiptarë pasi është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore. Për këtë janë në kontakt me Malin e Zi dhe ftojnë dhe vendet e tjera që të zbatohet propozimi shumëkombësh.

"Praktika kulturore e "Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj.

të kënduarit me lahutë është nga ato raste kur mund të zbatohet propozimi shumëkombësh bazuar në faktin se ato vende ndajnë praktikën kulturore në fjalë si një traditë historike dhe dukuri kulturore të gjallë, dhe asnjë vend nuk përjashton tjetrin;

 Ministria e Kulturës së Shqipërisë është tashmë në kontakt zyrtar me Ministrinë e Kulturës së Malit të Zi për të vijuar me vullnet të përbashkët procedurën për zgjerim të pjesëmarrjes në këtë regjistrim edhe të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Europës Juglindore, që kanë dëshirë t’i bashkohen këtij procesi për këtë aset kulturor specifik."

Prioritete te tjera

Por ajo që sqarohet është se në këtë sesion Shqipëria kishte caktuar si prioritet procesin e regjistrimit të dosjes së pasurisë kulturore dhe natyrore të Liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO

"Çdo vend ndjek prioritete të ndryshme në punën përgatitore për regjistrimin e pasurive kulturore në listat e trashëgimisë botërore dhe se aktualisht Shqipëria është në fazën përfundimtare procesit të regjistrimit të dosjes së pasurisë kulturore dhe natyrore të pjesës shqiptare të Liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ndërkohë që ka në proces përgatitjen e propozimeve për regjistrim në listat përkatëse disa pasuri të tjera materiale dhe jo materiale, si psh Parku arkeologjik i Apolonisë"

S'kemi ende inventar te pasurive kulturore jo materiale

Madje në një njoftim që përcillet nga Ministria e Kulturës sot, lihet të kuptohet se Shqipëria nuk ka ende një inventar kombëtar të Pasurive kulturore jo materiale dhe se po punohet pikërisht për këtë projekt.

"Ndajmë gjithashtu me publikun lajmin e mirë se falë punës së mirë koordinuar të Ministrisë së Kulturës dhe të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, në po të njëjtin takim, u miratua kërkesa e Shqipërisë për asistencë ndërkombëtare për projektin e krijimit të Inventarit Kombëtar të Pasurive kulturore jo materiale që do të krijojë një bazë të dhënash në nivel rajonal dhe dhe kombëtare për këtë kategori."

/Ora News.tv/