Opozita parlamentare në Britaninë e Madhe përsëriti të enjten thirrjet për zgjedhje të reja në vend, duke paralajmëruar se ata nuk do të votojnë marrëveshjen e Brexit javën që vjen. Laburisti Xheremi Korbin tha se partia e tij është e përgatitur që të kërkojë mbajtjen e një referendumi të dytë për Brexit nëse palët arrijnë një akord të papritur, por zgjedhjet e përgjithshme mbeten opsioni më praktik dhe demokratik.

Laburistët britanikë kërkuan të enjten mbajtjen e zgjedhjeve të reja për të zgjidhur konfliktin disamujor parlamentar rreth daljes së vendit nga Bashkimi Evropian.

Lideri i partisë më të madhe opozitare, Xheremi Korbin, deklaroi se laburistët do të votojnë kundër marrëveshjes Brexit, dhe se ai vetë do ta rinegociojë marrëveshjen me Brukselin kur të vijë në pushtet.

Corbyn: "Nëse qeveria nuk e kalon dot legjislacionin e saj më të rëndësishëm, atëherë duhet të zhvillohen zgjedhje të përgjithshme sa më shpejt të jetë e mundur pasi kjo nuk është qeveri. Ajo e ka humbur mandatin, prandaj edhe duhet t'i dorëzohet vullnetit të votuesve."

Të martën që vjen, parlamenti anglez pritet të votojë për marrëveshjen me Bashkimin Evropian për Brexit.

Sipas të dhënave paraprake, marrëveshja rrezikon të mos kalojë, dhe opozita parlamentare ka paralajmëruar se do të paraqesë një mocion mosbesimi kundër qeverisë.

Nëse qeveria e humbet mocionin, partitë do të kenë një afat dyjavor për të formuar një shumicë alternative parlamentare.

Në të kundërt, zgjedhjet e parakohshme mbeten opsioni më praktik dhe demokratik, sipas laburistit Korbin.

Ndërkohë, qeveria britanike ka pranuar paraprakisht një kërkesë të propozuar nga parlamenti një ditë më parë, për të paraqitur një plan alternativ brenda tri ditëve nëse marrëveshja për Brexit kundërshtohet në shumicë javën që vjen.

/Ora News.tv/