Debati për barazinë gjinore është edhe më i fortë në këtë 8 mars, ditën ndërkombëtare të gruas. Pavarësisht një 2017-te të karakterizuar nga lëvizjet sociale për fuqizimin e grave, duket se jo shumë gjëra kanë ndryshuar. Materiali në vijim paraqet realitetin statistikor të jetës së një gruaje në vitin 2018.

Pas një viti plot me denoncime për abuzimin e grave në Hollivud, politikë, media e kudo tjetër, barazia gjinore mbetet ende një vizion shumë i largët, edhe në shoqëritë perëndimore demokratike. Sidomos për gratë në vende në zhvillim, lufta kundër persekutimit të bazuar vetëm tek gjinia luftohet në mënyrë jo të barabartë. Në vende të prekura nga lufta, gratë janë subjekt i dhunës sistematike seksuale, situatë veçanërisht e rënduar në zonat rurale.

Edhe kur bëhet fjalë për sigurimin e jetesës, gratë janë gjerësisht të diskriminuara. Globalisht, burrat çojnë në shtëpi rroga 75% më të larta se gratë, ndërkohë që shifra për punën e papaguar të grave çdo vit përqark globit arrin në 10 trilion dollarë, dyfishi i nivelit të përllogaritur për burrat.

Zëri femëror zuri një hapësirë të rëndësishme në kinemanë botërore. Tre filmat me arkëtimet më të mëdha gjatë 2017 kishin personazhe kryesore femra për herë të parë në thuajse 60 vite. Megjithatë, gratë përbëjnë vetëm 18% të regjisoreve, skenaristeve, producenteve, redaktoreve në 250 filmat më të mirë të vitit.

Tjetër statistikë interesante lidhur me realitetin e trishtë gjinor, është se pjesa më e madhe e popullatës analfabete të botës përbëhet nga gratë, plot 64%. Ndërkohë, vetëm 23% e politikanëve në mbarë botën janë gra. Rreth 830 gra vdesin çdo ditë nga shkaqe të parandalueshme që lidhen me shtatzëninë dhe lindjen.

/Ora News.tv/