Kuvendi rihap garën për një vend në Kushtetuese, ja kriteret

Kuvendi rihap garën për një vend në Kushtetuese, ja kriteret

Kuvendi i Shqipërisë rishpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim plotësimin e “vakancës së parakohshme” të krijuar për shkak të mbarimit para afatit ligjor të mandatit të z. Fatos Lulo.

Gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:

-të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

-të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;

-të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;

-të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;

-të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;

- të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.


Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara më sipër, duhet të plotësojë edhe këto kritere:

-të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i  së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;

-të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;

- të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.

 Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të:

-vjetërsisë në profesion;

- përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;

-kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;

-treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;

-ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;

-informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.

Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:

-Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant;

-Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (numër telefoni, adresë e-mail);

-Fotokopje të kartës së identitetit;

-Dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërtetohet përmbushja e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. 

-Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.

- Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.  Formulari gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.

Kërkesa për shprehjen e interesit, e shoqëruar me dokumentacionin e mësipërm, duhet të paraqitet brenda datës 15 Shtator 2019 në zyrën e protokollit të Kuvendit, ose me postë në adresën Kuvendi i Shqipërisë, Blv. “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 4, Tiranë,

Lista e kandidatëve do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë, dhe bashkë me dokumentacionin përkatës për secilin kandidat do t’i përcillet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

EMISIONET