Parlamenti i Shqipërisë nuk do të ketë 140 deputetë siç parashikon Kushtetura por 123. listat e kandidatëve për deputetë nga Partia Demokratike kanë shteruar në të gjitha qarqet, duke lënë kështu 17 vende bosh në parlament. Megjithatë është ende për tu konfirmuar zëvendësimi i deputetit të fundit nga Lista e LSI. 

Ramadan Gjuzi ka dorëzuar të hënën në KQZ formularin e dekriminalizimit. Vetëm nëse edhe ai do ta refuzojë në moment të fundit mandatin, kuvendi shkon në 122 anëtarë.

Një situatë e tillë, për ish-kreun e KQZ, Kristaq Kume nuk cenon punën e Kuvendit.

Kume: Kuvendi i Shqipërisë mund të vazhdojë punë, i ka të gjitha kapacitetet ligjore për të marrë vendime dhe për të realizuar reforma, sepse ka më shumë se 84 veta, për të realizuar dhe reforma kushtetuese sepse ka më shumë se 93 veta.

Sipas ish kreut të KQZ, zgjidhje nuk është as shpërndarja e parlamentit nga presidenti.

Kume: Precedenti që do të prodhojë do të jetë i padëshirueshëm. Nëse ndodh një gjë e tillë atëhere ne mund të ndodhemi teorikisht përpara situatave kur zgjedhjet të bëhen në mënyrë të vazhdueshme dhe asnjëherë mos të kemi kuvend që të mblidhet si i tillë.

Kume thotë se këto karrige do të mbeten bosh, ndërsa theksoi se kriza politike nuk mund të zgjidhet në zgjedhje, por në tryezën e dialogut.

/Ora News.tv/