Në Kosovë Kuvendi u thirr në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rastin e përdhunimit nga mësuesi dhe polici i një 16-vjeçareje në Drenas. Dy partitë opozitare, Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë kërkuar përgjegjësi institucionale për rastin e abuzimit të së miturës.

Gjatë debatit, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku kërkoi marrjen e masave të domosdoshme ligjore për të parandaluar format e ndryshme të shfrytëzimit seksual, ndërsa tha se rasti i 16-vjepares në Drenas nuk është i izoluar.

Kollçaku: Mos të harrojmë, ky nuk është rast i izoluar, këtu bëhet fjalë vetëm për një vajzë e cila mori guximin, dhe përkundër një fenomeni që deri tani nuk është regjistruar në Kosovë, fenomeni i skllavërisë në aspektin e shfrytëzimit seksual sepse këtu kemi një kohëzgjatje prej 2 vjeçare të abuzimit me një të mitur, dhe ky është një fenomen që për herë të parë po ndodh në Kosovë, dhe po denoncohet, andaj duhet shtruar pyetja a jemi të gjithë të barabartë para ligjit.

Ndërsa deputetja Albulena Haxhiu, kërkoi dorëheqjen e ministrit të brendshëm.

Haxhiu: Ministri i punëve të brendshme tha se që e ka menduar dorëheqjen, po mos mendo bëje dorëheqjen, ski nevojë me mendu se ka ndodh një rast jashtëzakonisht i rëndë. Ne ende po ashtu, nuk u njoftuam pse prokurori i rastit ka mbyllur hetimet kundrejt mësuesit.

Paralel me seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, në Kosovë janë zhvilluar edhe protesta në Drenas dhe në Prishtinë.




/Ora News.tv/