Kush po e fiton betejën mediatike verore, Rama-Meta

Kush po e fiton betejën mediatike verore, Rama-Meta

Pak shqiptarë do të kenë dëgjuar për Hose Mujikën. Është presidenti i 40 i Uruguait, në periudhën 2010-2015. Ish-guerilas i ekstremit të majtë të Tupacamaros, i burgosur dhe torturuar, u bë më vonë i famshëm për veshjen e tij me pantallona mbi syrin e këmbës dhe sandale; banimin në kasollen e tij në periferi të kryeqytetit ku kultivonte krizantema në kohën e lirë, faljen e rrogës presidenciale për të varfrit dhe përdorimin e një Volksvagen Beetle të shkundur nga llamarinat.

Në historiografi politike mbahet mend si njeriu që mori një vend të telendisur nga diktaturat dhe luftërat, por e dorëzoi me një ekonomi që e kanë zili edhe fqinjët. Por nuk është kjo që e bëri të famshëm në botë por marrëdhënia me publikun duke nisur nga veshja e deri te komunikimi.

Ndërkohë në Shqipëri temperatura 40 gradë nuk ka mjaftuar të çojë politikën me pushime qoftë edhe nëpërmjet marrëdhënieve me publikun ku mbetet në plan të parë Rama-Meta.

Rama ende vazhdon të mbajë primatin. Ashtu si Mujica pret gazetarin e Euroneës me pantallona të shkurtra dhe shapka, por kujdeset që në sfond të jetë godina hijerëndë qeveritare pasi shqiptarët nuk e duan fukaranë dhe adhurojnë pushtetin; nuk mërzitet kur gazetarit i prishet telefoni dhe i tregon për aventurën e tij. Edi Rama nuk e fal rrogën e tij, vishet firmato, qarkullon me benz 600 mijë eurosh dhe nuk ka një të kaluar guerili. Por shfrytëzon detajin çka e bën të admirueshëm në sytë e të huajve. E ndërkohë pushon në Dhërmi, në Mekën e rinisë shqiptare, çka i jep edhe një tis trendi.

Ndërkohë Meta ka shkuar në një krahinë të humbur mes maleve që pak shqiptarë e dinë ku bie (kush dreqin ia këshillon); me baritjet e tij nëpër shkrepa nuk ngjall simpati as për fëmijët e atyre që kanë lindur aty pasi duan të vijnë në Tiranë dhe pushimet t’i bëjnë në Dhërmi; ku nuk merr guximin të shkojë asnjë gazetar vendas, pale i huaj; nga ku transmeton ecje zbathur nëpër përrenj që në vend të njeriut të fortë të krijojnë idenë e eremitit që ndëshkon veten për mëkatet që ka bërë dhe urimet i jep për Bajram duke pirë kafe.

Dhe pyetja e parë që i lind në mendje një profesionisti është: ku dreqin i ka gjetur këta këshilltarë gdhe?! Vërtet në epokën e imazhit dhe rrjeteve sociale, kështu do ta mundë Ramën?!/dritare.net

EMISIONET