Kur karabinierët e ndaluan, ai paraqiti një pasaportë dhe në emër të tij ishin "fshirë" të gjithë precedentët e mëparshëm dhe të gjitha problemet me drejtësinë. 

Për fat të keq, nuk ia doli kësaj here.

Të mërkurën pasdite, policia e Sesto San Giovannit në Itali, ka arrestuar Keivi Hysën, 27 vjeç, nga Mamurrasi, i akuzuar në vendin e tij për vrasje dhe posedim të armëve, shkruajnë mediat italiane.

Në orët e pasdites, policia urdhëroi ndalimin e një mjeti tip Opel Corsa, në bordin e të cilit, ishte edhe një 45 vjeçar po shqiptar bashkë me Hysën.

Pas një përpjekje fillestare për të shpëtuar, e cila zgjati shumë pak, të dy u ndaluan në Bruzzano dhe u kontrolluan menjëherë. Shoferi i tregoi karabinierëve një licencë, e cila doli të jetë krejtësisht ligjore, ndërsa 27 vjeçari paraqiti një pasaportë me viza të shumta me hyrje dalje nga Italia dhe Spanja.

Megjithëse kontrollet e para treguan se dy shqiptarët nuk kishin asgjë për të fshehur, policia vendosi të thellonte kontrollet dhe gjeti që fotografia në pasaportë nuk korrespondonte me emrin e shkruar në dokument. 

Në atë moment, pas sjelljes së të riut në komisariat, policia kuptoi se ai ishte marrësi i një urdhri arresti evropian që nga viti 2015.

Si ndodhi vrasja më 10 korrik 2015? 

Më 10 korrik të atij viti, ndërsa ishte në Sarandë me pushime me familjen e tij, djali kishte marrë pjesë në vrasjen e një 32 vjeçari.

Shtetasi Edmond Theodhori i njohur edhe si Edmond Mehmeti u vra me armë zjarri më 10 korrik 2015 në qytetin e Sarandës. Krimi i rëndë erdhi pas një zënke midis viktimës dhe autorëve natën përpara krimit, shtetasi Keivi Hysa dhe xhaxhain e tij, Gani Hysa për motive të dobëta.

 Pas kësaj ngjarje të dy personat e sipërpërmendur rreth orës 01:00 të një ditë më pas, kanë vënë në dijeni për konfliktin edhe 23-vjeçarin Elion Hysa nga Gjormi i Krujës dhe shokët e tij Enkeled Hysa, Ajman Zyba nga Laci dhe Ylli Reçi nga Gjormi i Krujës dhe së bashku e kanë kërkuar  viktimën  nëpër qytet dhe e kanë gjetur, pikërisht në vendin ku kishte ndodhur konflikti një natë më parë. 

Sapo e kanë parë, kanë rrethuar mjetin dhe kane thyer xhamat me shkop bejsbolli dhe me qytën e pistoletës, ku pas kësaj njëri prej autorëve i është afruar dhe ka qëlluar një herë me armë zjarri në drejtim të 32-vjeçarit Edmond Theodhori, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. 

Pas krimit, të gjithë autorët janë larguar menjëherë nga qyteti i Sarandës ku ndodheshin me pushime, në drejtim te vendbanimeve të tyre. Policia arrestoi në atë kohë shtetasi Enkelejd Hysën, Ylli Reçin dhe Ajman Zybën, 25, 23 dhe 21 vjeç.


/Ora News.tv/