Kur do të ngrihet Kushtetuesja, SPAK dhe BKH? Ruçi bën për "ujë të ftohtë" socialistët, zbardhet debati

Kur do të ngrihet Kushtetuesja, SPAK dhe BKH? Ruçi bën për

Tri vite pas miratimit të reformës në drejtësi institucionet e reja ende nuk janë ngritur. Ky fakt është kritikuar ashpër nga kryetari i kuvendit, Gramoz Ruçi, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve më 20 qershor. Kryeparlamentari është shprehur se ndërkombëtarët e pyesin përse institucionet e reja nuk janë ngritur, ndërsa ai me tone kritike është shprehur se nuk di si të përgjigjet.

Kryetari i Kuvendit shfaqet i pakënaqur me punën e deputetëve të Partisë Socialistë. Në mbledhjen e konferencës së kryetarëve të datës 20 qershor, Gramoz Ruçi, i kërkon llogari socialistëve se pse pas 3 vitesh ende nuk janë ngritur institucionet e reformës në drejtësi duke shprehur edhe shqetësimin e ndërkombëtarëve për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe SPAK-ut.

Ruçi: Ndërkombëtarët dhe publiku pyesin se kur do të bëhet Gjykata Kushtetuese, kur do të ngrihet Gjykata e Lartë, kur do të ngrihet SPAK-u, kur do të ngrihet Byroja e Hetimit dhe kur do të vendoset Prokurori i Përgjithshëm. Në qoftë se ia bëj vetes sime këto pyetje, nuk di t’u jap përgjigje, aq më pak ju. Atëherë, po ne të gjithë si Kuvend ku jemi? Sikur kanë gjetur një lloj komoditeti njerëzit, që u kemi dhënë besimin për atje, të cilët trajtohen dy herë më mirë dhe dy herë më shumë sesa Presidenti.

Kryeparlamentari Ruçi shprehet kritik me punën  e Këshillit të Legjislacionit në lidhje me amendamentet Kushtetuese që duhet të miratohen për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ruçi: E kuptoni se ku jemi, apo jo?! Nuk mban më uji pilafi për këtë çështje. Edhe unë po tëjem kryetari i KED–së, kryetari i KLP-së e të tjera them: “Çfarë kërkoni nga ne ju”? Të gjithë po betohemi për reformën në drejtësi kur vjen puna për 2, 3, 4 apo 5 nene e pengojmë reformën në drejtësi.

Edhe për rregulloren e Kuvendit Ruçi mendon se mazhoranca po luan  ping-pong me të, pasi  sipas tij  ka 2-3 vjet që vjen vërdallë nëpër komisionie pa arritur të miratohet në Kuvend.

Në mbledhjen e 20 qershorit është miratuar dhe programi i punës së Kuvendit për periudhën 1-31 korrik dhe kalendari 3 javor i punimeve për periudhën 1-19 korrik.

Pjesë nga debati

Gramoz Ruçi – Atëherë, konkludojmë që kërkesa që bën kryetari i Komisionit të Ligjeve për raportimin e qeverisë për shërbimin civil të spostohet në datën 11 korrik. Sa u takon organeve të drejtësisë, e vërteta është që ne jemi deficitar si Kuvend, është kuptuar keq pavarësia, mosndërhyrja e të tjera, sepse mosndërhyrja është për subjektet politike, për ekzekutivin, por është edhe detyrim ligjor dhe kushtetues kontrolli parlamentar nga organet e reja të sistemit të drejtësisë. Vërtet është një gjë pozitive që në kuadër të funksionit kontrollues parlamenti ka bërë një hap para, sepse më parë nuk raportohej në këto organe dhe as në komisione, ndërsa tani jo vetëm që kanë kaluar në të gjitha komisionet, por kanë kaluar edhe në seanca parlamentare.

Së dyti, është diçka shumë pozitive që deputetët dhe grupet parlamentare kanë shprehur vullnetin e tyre që të bëhet debat, ndërkohë që në legjislaturat e tjera nuk është zhvilluar asnjë debat për organet e pavarura, por kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi dificitar. Partnerët tanë ndërkombëtarë dhe opinioni publik shqiptar pyesin se kur do të bëhet Gjykata Kushtetuese, kur do të ngrihet Gjykata e Lartë, kur do të ngrihet SPAK-u, kur do të ngrihet Byroja e Hetimit dhe kur do të vendoset Prokurori i Përgjithshëm. Në qoftë se ia bëj vetes sime këto pyetje, nuk di t’u jap përgjigje, aq më pak ju. Atëherë, po ne të gjithë si Kuvend ku jemi? 

Prandaj, kjo punë duhet bërë me shumë përgjegjësi. Sikur kanë gjetur një lloj komoditeti njerëzit, që u kemi dhënë besimin për atje, të cilët trajtohen dy herë më mirë dhe dy herë më shumë sesa Presidenti i Republikës, por absolutisht ata duhet të kenë shqetësimin që ka publiku shqiptar dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për këtë vakum objektiv, i cili është realizuar deri tani, sepse kalon në subjektivitet çdo zvarritje e mëtejshme e kësaj çështjeje. 

Prandaj, këtë gjë duhet ta shikojë me shumë përgjegjësi Komisioni i Ligjeve, i cili duhet të bëjë një mbledhje shumë të përgatitur dhe shumë serioze, me një llogaridhënie nga këto organe, pa i denigruar absolutisht, sepse secili duhet të ruajë sovranitetin e vet, por që në fund rezultati duhet të jetë ky. Ne, si Kuvend, duhet të dimë dhe nëpërmjet nesh, si të deleguar të sovranit në organin më të lartë të kësaj Republike, duhet të marrim vesh se kur ky vend do të ketë Gjykatë Kushtetuese, kur do të ketë Gjykatë të Lartë, kur do të ketë SPAK-un e të tjerë dhe, secili të bëjë punën e vet. Kjo është përgjegjësia jonë.

Lidhur me Rregulloren e Kuvendit, ju lutem shumë, është bërë Rregullorja ping-pong, ka 2-3 vjet që vjen vërdallë sikur po e bëjmë nga e para dhe do të shpikim rrotën ne shqiptarët. E gjithë Rregullorja e Kuvendit tonë është mot a mot siç e kanë të gjitha vendet e tjera. Çfarë i mungon asaj?! Së pari, i mungon që Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimet dhe ne nuk kemi implementuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese në Rregulloren e Kuvendit, që është domosdoshmëri t’i bëni brenda muajit dhe shembullin duhet ta japim ne.

Së dyti, grupet parlamentare dhe deputetët kanë propozuar të mos kemi 4 seanca në muaj, por 3, një javë të jetë takime me zgjedhësit dhe të jetë në funksion të halleve, problemeve dhe shqetësimeve që ata kanë dhe t’i paraqesim këto shqetësime në seancë, ku është rënë dakord në parim.

 Atëherë, kjo të sanksionohet në Rregullore. Pra, ne kemi plotësuar Kodin e Etikës në parlament dhe nuk kemi plotësuar kërkesën tjetër për 6 objektivat që kemi pasur në progresraportin e vitin 2018, ku janë 46 masa, një pjesë e të cilave ka mbetur e paralizuar vetëm e vetëm se janë vendosur te Rregullorja e Kuvendit. 

Kjo për shkak të implementimit të saj. Ja ku e kemi drejtoreshën e seancave, juristët dhe këshilltarët juridikë të mblidhen dhe të vihet në dispozicion të opozitës dhe të deputetëve, të këshillohen dhe të marrë fund një herë e mirë kjo histori. Lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, çfarë është bërë me to?

Ulsi Manja – Ato janë objekt shqyrtimi në Këshillin e Legjislacionit...

Mimoza Arbi – A mund të sqaroj, sepse nuk është zoti Fino, se ai e drejton. Është mbledhur Këshilli i Legjislacionit nën drejtimin e zotit Fino, ku opozita ka caktuar një ekspert

nga ana e saj dhe është lënë që të punojnë eksperti i caktuar nga deputetët e maxhorancës me atë të opozitës për të riparë edhe një herë projektdraftin.

Gramoz Ruçi – Sa kohë ka kjo?

Mimoza Arbri – Ka 10 ditë. Dje bëra një takim me zotin Fino dhe është lënë që javën tjetër ekspertët të sjellin draftin e përgatitur.

Gramoz Ruçi – Dua të sqaroj diçka, sepse kolegët janë të rinj në Kuvendin e Shqipërisë. Këshilli i Legjislacionit drejtohet një herë në 6 muaj me rotacion nga deputetët, tani e ka radhën zoti Fino. Me rotacion është drejtuar 2 herë nga ish-deputetët e opozitës. Ky Këshill për këtë pikë është mbledhur dhe pothuajse ka arritur në përfundime në finale. Ne, sa herë ndryshojmë kryetarin, rifillojmë nga e para. 

Pse rifillojmë nga e para?! Çfarë diskutojmë?! Diskutojmë nëse do t’i implementojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, apo jo? Këtë po diskutojmë?! Jemi të detyruar t’i bëjmë. Është me detyrim përcaktim. Çfarë po diskutojmë ne në këtë mes?! Gjykata Kushtetuese ka thënë: “kjo po, kjo jo”. Atëherë, ne do ta shkruajmë, do ta hedhim dhe jemi të detyruar. 

Nuk mund të dalim ne mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ka 2 vjet kjo histori; është që nga legjislatura e kaluar dhe pak më parë fola me organet e sistemit të drejtësisë. Jam i bindur që do të vinë në parlament apo në Komisionin e Ligjeve dhe do të thonë: “Zotëri, çfarë na kërkoni neve”? Gjykata Kushtetuese, ligji që ke miratuar ti, më ka vënë këtë pezullim, unë nuk veproj dot, sepse kam këtë ngërç juridik, prandaj e kam zvarritur punën”. E kuptoni se ku jemi, apo jo?! Nuk mban më uji pilafi për këtë çështje. Edhe unë po të jem kryetari i KED–së, kryetari i KLP-së e të tjera them: “Çfarë kërkoni nga ne ju”?! Ju keni 2-3 vjet, që keni miratuar paketën ligjore, keni bërë ndryshimet kushtetuese, ka pasur ankesë në Gjykatën Kushtetuese. 

Gjykata Kushtetuese për këtë nen kërkon llogari, e ka hedhur poshtë, të ka kërkuar riformulim dhe ti, ore zotëri, nuk e ke bërë, nuk e kam bërë unë. Tani çfarë kërkoni, duhet të dalim ne para popullit dhe t’u themi: na falni ne deputetëve që jemi zgjedhur, sepse nuk jemi në gjendje për 2 vjet të bëjmë dy nene?! Këto dy nene, janë referuar nga Gjykata Kushtetuese. Ju lutem, kur ulemi në tavolinë, t’i lëmë partitë atje nga kemi ardhur dhe të vendosim, sepse disa gjëra nuk janë punë partish! Të gjithë po betohemi për reformën në drejtësi kur vjen puna për 2, 3, 4 apo 5 nene e pengojmë reformën në drejtësi.

Në lidhje me diçka që u ngrit këtu, ju lutem, duhet vendosur në Rregullore. Nuk ka parlament në botë që çdo deputet ngrihet në sallë dhe, si t’i kujtohet atij, të mbajë një minutë heshtje. Parlamenti është institucion, dhe minuta e heshtjes duhet të ketë një protokoll. Prandaj, duhet ta mendojmë mirë çështjen dhe të themi: parlamenti shqiptar të mbajë një minutë heshtje, për shembull, për deputetë dhe ish-deputetë, për kryeministra dhe ish-kryeministra, për presidentë dhe ish-presidentë, për anëtarë të akademisë së shkencave e të tjera.

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Njerëz jemi të gjithë dhe do të ndodhin, por jo çdo deputetë ngrihet në sallë, sepse jemi para publikut dhe themi: çfarë parlamenti është ky?! Ngrihet një deputet dhe thotë... Tani janë gjëra të ndjeshme. I vdekuri kushdo qoftë ai, nderohet, nuk diskutohet, por ka një masë. Ju lutem, vendosni një protokoll për këtë çështje, të vendosim diçka në Rregullore, pra të kemi diçka me udhëzim të brendshëm apo me Rregullore, që, sa herë ka raste të tilla, të mblidhet Konferenca e Kryetarëve. 

Kur them Konferenca e Kryetarëve, 4 kryetarë grupesh janë. Të mblidhen dhe të thonë: për ngjarjen që ka ndodhur, për shembull, është një ngjarje historike, do të vendosim që në këtë orë do të mbahet kjo minutë dhe të mos ndodhemi përpara të papriturave, sepse kini parasysh: për një çështje që parlamenti absolutisht nuk duhet ta mbajë, por, nga ana tjetër, thuhet: ti e propozon, je i mirë; parlamenti nuk e mban. Kini parasysh që ai ka njëmijë njerëz nga mbrapa; këta nuk dinë as kodin e vdekjes! E kupton? Është delikate çështja edhe në planin human e njerëzor.

(Ndërhyrje pa mikrofon)

Lidhur me Kodin Penal, ju lutem shumë, kini parasysh që çdo deputet ka të drejtë, sepse e ngriti zonja Hajdari, që ka qenë në program, ka qenë në kalendar e të tjerë... Ky nuk është një projektligj më vete që të ndjekë procedurat parlamentare: nisma duhet të qëndrojë 15 ditë, pastaj të futet në program, pastaj në kalendar, pastaj të kalojë në komisione. 

Por, nga ana tjetër, kur diskutohet një Kod ose një projektligj, çdo deputet në komision, deri te salla e Kuvendit, ka të drejtë që para 24 orëve të depozitojë amendime. Votohet ose jo, është diçka tjetër. Kështu që nuk kemi çfarë të bëjmë. Dua të trajtoj edhe diçka tjetër lidhur me këtë. Ka shtete, madje të Bashkimit Europian, që pjesëmarrjen në votim e kanë detyrim.

Së pari, në qoftë se ti nuk merr pjesë në votime, të ndalohet dalja jashtë shtetit. Së dyti, shikoni se çfarë po bëhet me ne si shqiptarë. Për arsye të pesë vetave, të njëqind vetave apo të njëmijë vetave, që kryejnë krime në vendet e Bashkimit Europian, kërkohet të penalizohen 3 milionë shqiptarë për të mos lëvizur jashtë shtetit. E qartë? Prandaj, kur ne flasim për përgjegjësi shtetërore, duhet të marrim masa që liritë dhe të drejtat e njeriut të mos jenë pa fund dhe për këdo. Ato janë për pakicën, për atë pakicë që dëmton shumicën, ka penalitete dhe ne duhet të përgjigjemi për këtë punë. 

Mos harroni që jemi i vetmi shtet që ka nënshkruar kontratë me FRONTEX-in për të kontrolluar kufijtë. Pse? Sepse jemi bërë si delja e zezë, sikur ne shqiptarët e futëm edhe në Europë, edhe në botë, krimin, korrupsionin, drogën e njërën, tjetrën dhe këtej, pas shqiptarëve fshihen të tjerët. Por ne jemi shteti që aspirojmë Bashkimin Europian, shikohemi me lupë. Ka që na duan, ka që nuk na duan. Ata që nuk na duan, thonë: “Ja, krimi shqiptar; krimineli shqiptar!” Por ne nuk kemi pse të penalizojmë një vend, një shtet, një popull të tërë për shkak të individëve të veçantë!


EMISIONET