Në Komisionin e Shëndetësisë grupet e interesit kundërshtuan disa ndryshime në  projektligjin e duhanit. Në kërkesat e tyre ishte që cigaret elektronike të lejohen në ambiente të posaçme, por Ministria e Shëndetësisë e kundërshtoi, duke thenë se janë po aq të dëmshme sa cigaret tradicionale.

Disa ndryshimet ligjore në projejktligjin për mbrojtjen e shëndetit nga produktet  e duhanit hasën kundërshti nga grupet e interesit.

Në diskutimet në Komisionin e Shëndetësisë, palët  shprehën  shqetësimin se një pjesë e mirë e produkteve të duhanit shitet në mënyrë të pakontrolluar.

"40% shitet pa kaluar në asnjë lloj kontrolli. Produktet që importohen nga kompanitë dhe që kontrollohen nga Ministria e Shëndetësisë, laboratori i Ministrisë së Bujqësisë, dogana. Të gjitha këto kanë të dhënat teknike, skedat e tyre".

Propozimi i tyre është që cigaret e reja, si nargjilet apo ato elektronike të lejohen në ambiente të posaçme.

"Ata pronarë që duan ta lejojnë, ta kenë të shkruar diku që këtu lejohet për tu përdorur produktet e reja dhe të paguajnë një tarifë të caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave."

Por, ky propozim u hodh poshtë nga Ministria e Shëndetësië, me argumentin se cigaret elektronike janë po aq të dëmshme sa ato me djegie.

"Cigaret që janë me ngrohje ose cigaret elektronike për shëndetin janë po aq të dëmshme sa edhe cigaret e zakonshme. Këtë e kemi të mbështetur dhe në studime të vlerësuara mirë."

Argumenti i Ministrisë së Shëndetësisë mori mbështetje edhe nga përfaqësuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësië.

/Ora News.tv/