Analisti Aleksandër cipa komentoi përgjigjen publike që Presidenti Meta i dha sot ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme lidhur me plofuqishmërinë e kërkuar për negociatat me Greqinë.

Tare: Si e ke parë ti këtë lëvizje të Presidentit të vendit, zotit Meta, çfarë roli po luan kreu i shtetit?

Çipa: Unë mendoj se jemi përsëri, në riciklimin e marrëdhënieve problematike në raportet midis Presidentit të republikës dhe ekzekutivit shqiptar. Jemi në një moment kur marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Greqisë do të kapërcejnë sipas pohimeve të ndërsjellta një periudhë të gjatë të ftohtësisë apo të mbajtjes së problemeve të akumuluara në harkun e 70 viteve në një gjendje të ngrirë, mirëpo a do të ndodhë ky moment kapërcyes? 

Kjo mbetet për tu parë. Mendoj që deklarata e sotme dhe letra e lexuar publikisht e Presidentit të republikës drejtuar ministrit të jashtëm për kërkesën e parashtruar prej tij në presidencë ditë më parë për dhënien e plotfuqishmërisë në përfaqësimin e negocimeve bilaterale është një moment i ri i marrëdhënieve politike midis Presidentit të republikës Meta dhe ekzekutivit. Pavarëisisht se i drejtohej ministrit të jashtëm, në fakt kumti i saj i drejtohej kryeministrit Rama. Një situatë e tillë duket se dëshmon jo fort maturitet të sjelljes së përfaqësuesve më të lartë inistitucionalë të vendit në kushtet dhe kontekstet e një kapërcimi të një momenti historik në relacionet me një nga fqinjët më problematikë përsa i përket periudhës historike dhe marrëdhënieve historike diplomatike që në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhet me Greqinë.

Tare: Kush nuk është serioz në këtë që po ndodh? Cili nga institucionet dhe cfarë figure bëjmë ne në Athinë për gjërat tona lokale në Tiranë?

Çipa: Trajtimi i një problemi të tillë kaq madhor me rëndësi ekzistenciale në relacionet fqinjore, por në mënyrë të vecantë me rëndësi për interesin dhe integritetin kombëtar duket se është jo maturitet. Dëshmon papjekuri dhe mbi të gjitha jo një kulturë të drejpërdrejtë të manifestuar institucionale diplomatike. Këtu ndahen të dy palët. Njëra palë, ajo që në rastin konkret përfaqësohet prej ministrit të jashtëm duket se kërkon të ruajë diskrecionin si një nga parimet e njohura të negocimit dhe bisedimeve diplomatike. Ndërsa Presidenti përmes letrës duket se e ka tejkaluar këtë gjë. 

Madje, do thoja nën kontin e një kompleksi të marrëdhënieve të krijuara, e bën këtë dhe e ndan me publikun. Një ndarje e tillë duket se shënon një precedent. Unë mendoj që ekzistojnë disa institucione kushtetuese ku përfshihet dhe shërbimi inteligjent, institucione të tjera të sigurisë kombëtare të cilat duhet të lëvizin që në kuadër të luajalitetit dhe sjelljes juridike konstitucionale të ndjekin këtë proces kaq të rëndësishëm që të mos lejojnë asnjë prej protagonistëve përfaqësues në negocime apo bisedime sepse praktikisht diplomacia jonë ende nuk e ka sqaruar dhe deri tani ka qenë vetëm në një protagonizëm bisedimor apo negociues dhe kjo është e drejta e Presidentit të kërkohet publikisht por ekzistojnë të gjitha mundësitë që brenda aulave të konspiracionit ‘institucional’ të konsumohen dhe të mos bëhen pjesë e një debati publik që shkakton sensibilitet dhe ndjeshmëri të panevojshme dhe shpesh të dëmshme. Në rastin konkret, një konflikt apo mosmarrëveshje e brendshme në përfaqësimin institucional të Shqipërisë favorizon palën tjetër të bisedimeve për negocimin e cështjeve kaq të rëndësishme dhe historike se nuk është cështja vetëm për negocimin ose rinegocimin të shëlbit detar, por sipas pohimeve të kryeministrit Rama, bëhet fjalë për një paketë të rëndësishme që do tjetërsojë marrëdhëniet bilaterale.

Tare: Çfarë duhet të bëjë Rama se cfarëdo të ndodhë sot nga ana e Presidentit i drejtohet më tepër qeverisë?

Çipa: Mendoj që është casti që aktorët më të rëndësishëm të përfaqësimit të interesit institucional dhe konstitucional të vendit të negociojnë që Presidenti i Republikës, Ministria për Evropën dhe e Jashtme dhe vetë kryeministri të kenë mundësi të komunikimit institucional për të ndarë atë që quhet me momentin e konjukturës së tanishme politike në relacionet e tyre rëndësinë jetike që ka një marrëveshje e tillë me fqinjët.

/Ora News.tv/