Kumbaro: E ardhmja e kulturës, skena e pavarur

Kumbaro: E ardhmja e kulturës, skena e pavarur

"E ardhmja e kulturës është skena e pavarur", kështu u shpreh ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e ftuar në emisionin "Arkapia" në Ora News. Kumbaro shprehu shqetësimin se përveç financimit të ministrisë së Kulturës mungojnë financimet e tjerë private. Ajo tha se duhen nxitur skenat e pavarura.

Pjesë nga deklarata e Kumbaros

Teatri Kombëtar ka prodhuar vetëm një premierë nga shtatori deri në shkurt...

Kumbaro: Jemi në kushtet ku Teatri Kombëtar ka vetëm një sallë. Ka pasur një kombinim të performancave edhe të shfaqjeve që vijnë nga skena e pavarur të cilët shumë herë janë edhe aktorë të teatrit. Pra është një mundësi dhe ne këtë e bëjmë edhe me Teatrin Eksperimental edhe me Teatrin Kombëtar ku kemi një ndërthurje për të krijuar që të qarkullojnë sa më shumë aktorë, të ketë sa më shumë shfaqje, por edhe për tiu përgjigjur kërkesave në rritje të skenës së pavarur të cilët në pjesën më të madhe mbështeten nga ministria e Kulturës. Në finale kemi dy interesa, të shtohet prodhimtaria, e dyta të jepet mundësi të punojnë në profesionin e tyre edhe artistë që nuk janë me kohë të plotë në Teatrin Kombëtar apo Teatrin Eksperimental. Unë besoj që ky kombinim do të përmirësohet sepse Teatri Kombëtar do të shtohet me dy skena.

Kemi një numër të madh artistësh që janë jashtë tregut dhe fakti që ende nuk kemi iniciativa më të konsoliduar private, në formën e kompanive, në formën e shoqatave. Kjo ka disa arsye, e para sepse mungojnë donatorët, mungon inçentivimi i burimeve të tjera financiare përveç ministrisë së Kulturës. E dyta sepse ka një mosrakordim midis sa studentë nxjerr Akademia e Arteve në aktrim, regji, muzikë etj dhe sa mban tregu. E treta sepse nuk ka një treg të mirëfillte dhe të gjithë synojnë të vetmet skena të pakta që janë. Unë besoj se kjo do të ndryshojë në radhë të parë me hapjen e skenave të reja, në radhë të dytë me inçentivimet ligjore që duan te fusin për të hapur skenën dhe për të krijuar mundësi jo vetëm tek skenat publike. Unë mendoj se e ardhmja e kulturës duhet të jetë skena e pavarur, të nxisim skenën e pavarur që të piqet për të krijuar kapacitetet menaxheriale. Ne nuk kemi menaxherë arti, nuk kemi kompani që të dinë të ndërtojnë buxhete, si ti menaxhojnë ato.

EMISIONET